Gjithmonë është besuar se gjurmët e duarve të bëra me bojë, të gjetura në muret e shpellave, nuk ishin lojë, por njeriu parahistorik i linte ato gjatë ritualeve të tij. Një studim i ri sqaron misterin e “gishtave të humbur” në këto gjurmë. Në studim, janë ekzaminuar rreth 300 gjurmë duarsh prehistorike nga vendet spanjolle dhe franceze, ku mungojnë disa falanga të një ose më shumë gishtave. Studiuesit Mark Collard dhe Brea McCauley, nga Universiteti Simon Fraser (SFU), kanë arritur në përfundimin se këto gjurmë të gjymtuara janë rezultat i amputimeve rituale. Në disa raste mungon një nga tre falangat e gishtit, ndërsa në disa të tjera mungojnë disa falangat edhe të disa gishtave.
Kjo çështje ishte debatuar prej kohësh, sepse njerëzit, mbështeten shumë në duart e tyre dhe është e vështirë të imagjinohet se kaq shumë individë kishin humbur gishtat aksidentalisht në aktivitetet e tyre të përditshme. Kjo është arsyeja pse shumë arkeologë kishin menduar se kjo ishte e qëllimshme. Studiuesit Collard dhe McCauley vunë re se amputimi ritual është i përhapur në speciet tona. Ai ka prekur mbi njëqind kultura që nga kohët e lashta. Dhe arsyet që i shtynë qytetërimet e lashta të praktikojnë amputime janë të zbatueshme edhe për njeriun parahistorik. Si përfundim, studiuesit besojnë se shumë imazhe të duarve në muret e shkëmbinjve, veçanërisht në Gravetian (29,000-20,000 vjet më parë), janë dëshmi e riteve të flijimit për të marrë ndihmë nga një entitet ose pushtet superior, në përputhje me animizmin që karakterizonte format e para fetare.
Në përgjigje të kritikave të mundshme të këtij përfundimi, studiuesit kryen vëzhgime shtesë. Në shpellat e Gargas, në Pirenejtë e lartë francezë, u regjistruan 231 gjurmë duarsh, të bëra nga afërsisht 45-50 individë. Prej tyre, 114 kanë mungesë të një ose më shumë falangave të gishtave. Në shpellën Cosquer, gjithashtu në Francë, 28 nga 49 u mungojnë disa falanga. Dhe në Maltravieso, në Spanjën perëndimore, është e njëjta gjë për 61 nga 71 figurat e dorës.