Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla përgëzoi Policinë e Shtetit, Interpol Tirana, Interpol Wiesbaden dhe Prokurorinë e Jurisdiksionit të Përgjithshëm Shkodër për zbardhjen dhe ndalimin e personit të dyshuar për një ngjarje kriminale të ndodhur 2 ditë më parë në Shkodër.

Në një reagim të tij, Balla u shpreh se, “dita-ditës po konsolidohet bashkëpunimi i Interpol Tiranës me agjencitë partnere për shkëmbimin e informacionit me qëllim gjurmimin, lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Ky bashkëpunim po zgjerohet edhe me vendet ku më parë s’kemi pasur marrëveshje ekstradimi, me ato vende që deri tashmë kanë shërbyer si vende të “sigurta” për shumë të kërkuar”.

“Përgëzoj Interpol Tiranën dhe strukturat e Policisë së Shtetit në të gjitha nivelet, për operacionet e njëpasnjëshme, për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe ekstradimin e tyre drejt vendeve ku ata kanë kryer veprimtarinë kriminale.

Vetëm gjatë 40 ditëve të para të këtij viti, janë zhvilluar 20 operacione nga Interpol Tirana dhe strukturat e Policisë së Shtetit, dhe koordinimi i vazhdueshëm me partnerët, ka lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga në disa qarqe të vendit 20 të kërkuar në nivel ndërkombëtar”, deklaroi Balla.