Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar pas rastit të një 27-vjeçari, i cili shantazhonte një vajzë të mitur duke e kërcënuar se do i publikonte foto dhe video intime në rrjetet sociale, si dhe i kërkonte marrëdhënie seksuale.
Balla thotë se po punohet për ndryshimet ligjore kundër dhunës online, ndërsa ofruesit e rrjeteve sociale – thotë- ministri po përmirësojnë nivelin e moderimit të mesazheve në gjuhën shqipe.
“Ngjarjet e fundit kanë rritur nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online. Policia e Shtetit përmes Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm kanë identifikuar një tjetër rast shantazhi në rrjetet sociale me rrezikshmëri ndaj një minoreneje.
Po bashkëpunojmë me agjencitë partnere për fuqizimin e kapaciteteve tona në përballjen me këtë formë kriminaliteti. Policia e Shtetit po rrit vigjilencën dhe forcën parandaluese, është i domosdoshëm bashkëpunimi me publikun, të cilët duhet të drejtohen pa hezitim duke kallëzuar çdo rast shantazhi e dhune përmes rrjeteve sociale, për të na dhënë mundësinë e reagimit në kohë. Në momentin më të parë të konstatimit duhet denoncur dhe jo të bini pre e shantazhit!
Paralelisht po punojmë për ndryshimet ligjore kundër dhunës online, ndërsa ofruesit e rrjeteve sociale po përmirësojnë nivelin e moderimit të mesazheve në gjuhën shqipe”, thuhet ne reaigmin e ministrit Balla.