Shqipëria synon zgjerimin e investimeve të huaja në sektorë potencialë të ekonomisë së vendit që gjenerojnë punësim dhe zhvillim. Përfaqësues nga institucionet e linjës, po marrin pjesë në serinë e trajnimeve online që po zhvillon Banka Botërore për Forcimin e Kapaciteteve për Nxitjen e Investimeve në Ballkanin Perëndimor.
Sipas njoftimit nga BB, pjesëmarrës nga gjashtë vendet e rajonit janë pjesë e këtij programi gjithëpërfshirës për investimet e huaja direkte (FDI) që synon prezantimin me teknikat e praktikave më të mira ndërkombëtare si dhe krijimin e një grupi ekspertësh për promovimin dhe lehtësimin e investimeve në Ballkanin Perëndimor.
BB bën të ditur se, programi është zhvilluar bazuar në përvojën e gjerë të Bankës Botërore e cila ka ofruar mbështetje për agjencitë e nxitjes së investimeve (IPA) në mbarë botën dhe ndjek një qasje modulare që është përshtatur me nevojat specifike të IPA-ve të Ballkanit Perëndimor.
Sesioni i parë u fokusua në tendencat dhe bazat e FDI-ve, me pjesëmarrjen e rreth 50 zyrtarëve të promovimit të investimeve, për të vijuar me sesionet e tjera mbi potencialet, risitë dhe impaktin e FDI-ve.