Në vendimin e zbardhur që Top Channel e disponon ekskluzivisht, në të cilin i jepet të drejtë SPAK që nuk e lejon ish kryeministrin Sali Berisha të marrë pjesë të enjteve në parlament, gjykata thekson se Sali Berishës nuk i është cenuar funksioni i deputetit si përfaqësues i zgjedhur shqiptarëve.
‘Por, argumenton gjykata, nuk mund të pritet që kjo e drejtë të ushtrohet në mënyrë të njëjtë dhe të barabartë si kolegët e tjerë deputetë, në kushtet kur kërkuesi Sali Berisha, ka marrë edhe cilësinë e të hetuarit në procedimin penal në fjalë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Për më tepër që sipas gjykatës në ligjin procedural penal, nuk parashikohet mundësia e dhënies së një leje të këtij lloji. Gjykata e posaçme i tha ‘jo’ Sali Berishës për të shkuar në parlament, por nuk ja ka mbyllur derën plotësisht. Duke i sjellë si shembuj lejen për ish deputetët Mark Frroku dhe Armando Prenga, gjykata kujton se ata u lejuan të shkojnë në parlament por me raste të veçanta, për të votuar një ligj.
Gjyqtarja Irena Gjoka thotë se Armando Prenga që në 2016 ishte nën arrest shtëpiak, mori leje te veçantë ditën kur u votua reforma në drejtësi. Ndërsa Mark Frrokut nën arrest me burg, ju dha e njëjta leje ditën që u votua Kodi Zgjedhor .
Këto dy leje gjykata antikorrupsion i konsideron të një rëndësie të veçantë për shkak të ligjeve të votuara dhe në këto kushte vijon më tej gjyqtarja antikorrupsion Irena Gjoka, nuk mund të barazohet kërkesa e deputetit Sali Berisha me rastet e mësipërme.
Kërkesa e Berishës konsiderohet e një natyrë tjetër nga SPAK dhe gjykata; përderisa deputeti Berisha kërkon të marrë pjesë në mënyrë të rregullt dhe të pandërprerë “në të gjitha seancat parlamentare, në kushtet që ndodhet me masën e sigurimit personal shtrëngues “arresti në shtëpi”.
Por përshkak se mbrojtja e ish kryeministrit pretendon se Berishës po i mohohet liria e shprehjes, gjykata thotë të kundërtën duke lënë të kuptohet se ai po komunikon lirshëm përmes rrjeteve sociale dhe nga ballkoni i shtëpisë. Për të ilustruar se çdo të thotë kufizim i lirisë së shprehjes gjykata antikorrupsion sjell shembullin e Navalni, kundërshtarit politik i Putinit, i cili fitoi në Strasburg, pasi gjykata i dha të drejtë për dhunimin e lirisë së shprehjes.
Në çështjen Navalny kundër Rusisë, ndër të tjera, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka argumentuar se Ndalimi i komunikimit, i përdorimit të internetit dhe i bërjes së deklaratave publike për çështjen penale padyshim kufizoi mundësinë e tij për të dhënë dhe marrë informacion, duke përbërë një ndërhyrje në lirinë e tij të shprehjes, pavarësisht nëse disa mjete të tjera komunikimi ishin ende të disponueshme për të . Gjykata arrin në përfundimin se liria e shprehjes së kërkuesit iu nënshtrua kufizimeve që nuk ishin në përputhje me ligjin
Gjyqtarja antikorrupsion Gjoka shprehet më tej për pretendimet e Berishës se arsyet e caktimit të masës së sigurimit personal shtrëngues, nuk janë ligjore por insinuata politike në dëm të liderit të opozitës në vend për shkak të aktivitetit të tij politik dhe aksionit përshkallëzues politik të opozitës. Gjykata i çmon si vlerësime subjektive dhe aspak të bazuara.
Duke përmendur raste të Strasburgut për politikën, gjykata sjell rastin e kryetarit të partisë së Punës në Lituani Uspaskich, i cili fitoi zgjedhjet teksa ishte në burg ju drejtua Strasburgut që citon nga gjykata antikorrupsion se “kur partia politike e kërkuesit e emëroi atë si kandidat në zgjedhjet parlamentare, kandidati duhet të ketë qenë qartësisht i vetëdijshëm se ai ishte i dyshuar në një hetim penal.
Prandaj, ai nuk mund të priste në mënyrë të arsyeshme për të marrë pjesë në ato zgjedhje pa asnjë kufizim, në kushte të barabarta me çdo kandidat tjetër, i cili nuk ka qenë objekt i procedimit penal.”