Presidenti amerikan, Joe Biden i ka fituar lehtësisht zgjedhjet paraprake demokratike në Miçigan të martën, mirëpo një votë proteste e demokratëve të zemëruar për mbështetjen e tij për luftën e Izraelit kundër Hamasit në Gazë, i ka tejkaluar pritshmëritë e organizatorëve.
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Ish-presidenti amerikan Donald Trump, i ka fituar bindshëm zgjedhjet paraprake republikane në këtë shtet, duke i rritur mundësitë për të fituar nominimin e partisë së tij, për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Ndonëse Biden dhe Trump është pritur që të fitojnë lehtësisht në zgjedhjet paraprake në këtë shtet, procesi i numërimit të votave është vëzhguar prej afër, për të parë dozën e mbështetjes që ata gëzojnë.

Në Miçigan, ku gjendet një komunitet i madh arabo-amerikan, votuesve demokratë u është bërë thirrje që të plotësojnë fletëvotimet si “të pavendosur”, si shenjë proteste për politikën e Bidenit për Gazën.

Pas pothuajse gjysmës së votave të numëruara, numri i votuesve “të pavendosur”, ka shkuar në mbi 58.000, sipas organizatës Edison Research, duke e tejkaluar shifrën 10.000 që e kishin pritur organizuesit e protestës.