Urdhri “Sovran Ushtarak i Maltës”, i njohur gjithashtu si Kalorësit e Maltës, nuk është vetëm një titull fetar katolik me gati 1000 vjet histori. As nuk është thjesht një organizatë ndihmash humanitare me buxhet shumë milionë dollarësh, me operacione që përfshijnë kampe refugjatësh dhe programe të ndihmës ndaj fatkeqësive në rreth 120 vende anembanë botës.
Është gjithashtu një komb sovran, me statusin e vëzhguesit të Kombeve të Bashkuara dhe kushtetutën e tij, por, në mënyrë të pazakontë, pa asnjë tokë. Ata lëshojnë targa makinash, pa pasur rrugë për t’i vozitur, hedhin në treg vula, monedha dhe pasaportat e veta. Kalorësit filluan si një urdhër kalorësiak në Jerusalem rreth vitit 1099 dhe iu dha arkipelagut maltez në 1530 nga Mbreti i Spanjës. Napoleon Bonaparte i detyroi Kalorësit të largoheshin nga Malta në pushtimin francez të vitit 1798, dhe prej atij viti Urdhri e ka selinë në Romë. Daniel de Petri Testaferrata, presidenti i Urdhrit me bazë në Maltë, thonë për CNN se vetëm rreth 100 nga 13,500 kalorës, dama dhe kapelanë të shpërndarë tani në mbarë globin jetojnë në arkipelagun maltez.
Pasaportat e para u lëshuan nga Urdhri i Maltës në vitet 1300 kur diplomatët e saj udhëtuan në shtete të tjera me dokumente që vërtetonin rolin e tyre si ambasadorë. Pas Luftës së Dytë Botërore, përdorimi i pasaportës diplomatike mori karakteristika të pasaportave të përdorura në vende të tjera. Sot, janë vetëm rreth 500 pasaporta diplomatike në qarkullim duke e bërë atë pasaportën më të rrallë në botë.