Shefi i rrjetit social X, Elon Musk është kritikuar sot nga përdoruesit pasi duket se kishte përjashtuar nga platforma sociale Yulia Navalnaya, duke bllokuar llogarinë e bashkëshortes së kryeopozitarit të vdekur rus Alexei Navalny.
Të premten zyrtarët e burgut rus ku mbahej kritiku i vjetër i Putin njoftuan se Navalny kishte vdekur nga e ashtuquajtura “vdekja e papritur”, por përfaqësuesit e Navalny thanë se ai është vrarë.
Bashkëshortja e tij në zi Yulia Navalnaya shpërndau një video-deklaratë në rrjetin e Musk, X ku pohonte hapur se Vladimir Putin “vrau burrin tim”. Rrjeti kishte bërë pezullimin e llogarisë për informacione të rreme dhe mungesë të provave ose burimeve për deklaratën se Putin ishte “autor i vrasjes”, por pas kritikave të gjera online, llogaria e saj është rikthyer aktive.
Ajo shtonte në dekalratë: “Ju kërkoj të shpërndani zemërimin për ata që guxuan të vrasin burrin tim. Ju flas me fjalët e Alexei, nuk është turp të bësh sado pak, turp është të mos bësh asgjë”.
Ndërsa sot (e martë, 20 shkurt) Yulia i kërkonte Kremlinit në llogarinë e saj “t’i rikthente trupin e Alexei për ta varrosur me dinjitet”. Ajo shtonte gjithashtu se “nuk merakosej për fjalët e zëdhënësit të shtypit të vrasësit”, pasi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov quante akuzat e saj të vrasjes “të pabaza” e “ofenduese”.
Përdoruesit e rrjetit X komentonin masivisht pas pezullimit të llogarisë së @yulia_navalnaya, duke kritikuar politikat e Musk. Një prej tyre tha: ” X ose Twitter kanë ndaluar llogarinë e të vesë së Navalny!! Putin mbanka peng edhe Musk?
Një i dytë shkruante: “Rrjeti i Musk ndalon llogarinë e gruas së Alexey Navalny? Për kë skuadër lufton grupi i tij?Rusine?”