Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, deklaroi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, se Shqipëria dhe Turqia do të punojnë në mënyrë reciproke për të rritur investimet dhe lidhjet e biznesit.

Erdogan tha se pjesë e bisedës me kryeministrin Rama ishte dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe atë ushtarake, e cila u finalizua në një marrëveshje mes dy vendeve.

“Shkëmbyem pikëpamje dhe me zhvillimet në rajon dhe në botë. Ne do të vazhdojmë dialogun tonë në lidhje me Ballkanin dhe jemi të vendosur të thellojmë në bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe atë ushtarake për të cilën nënshkruam dhe një marrëveshje”-tha Erdogan.

Nga ana tjetër Erdogan tha se pjesë e agjendës ishte dhe pastrimi i atyre që ai i cilësoi si “mbetjet e FETO-s” në Shqipëri.

“Do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë popullit shqiptar. Pjesë e agjendës tonë ishte dhe pastrimi i mbetjeve të FETO në Shqipëri, e cila vahzdon aktivitetin me qëllim të hedhë hijë mbi marrëdhëniet tona, por ne nuk do ta lejojmë këtë. Autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për këtë. Lufta jonë me këtë strukturë do të vazhdojë dhe falenderoj për kontributin që kanë dhënë.”- tha Erdogan.