Ministria e Drejtësisë së bashku me Avokaten e Popullit, Erinda Ballanca, organizuan një sesion pune të përbashkët me aktorët kryesorë të sistemit të drejtësisë, për të diskutuar gjetjet e raportit të Komitetit për Parandalimin e Torturës (CPT) mbi trajtimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve në Shqipëri.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, në një postim në rrjetet sociale.

Manja shkruan se “ky dialog konstruktiv synoi të bashkojë përpjekjet për të adresuar rekomandimet e CPT dhe të nisë një angazhim kolektiv për të kthyer gjetjet në plane vepruese për të gjithë aktorët institucionalë të përfshirë”.

“Nevojitet me urgjencë një ndryshim në mentalitetin dhe qasjen e magjistratëve ndaj sistemit të drejtësisë penale, që në thelb respekton të drejtat dhe liritë e individëve. Le të ndërtojmë së bashku një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë!”, mbyll postimin e tij Manja.