Hysen Meta, një nga djemtë që ka pranuar bashkëautorësinë e krimit në familje në Durrës i ka treguar policisë të gjithë dinamikën e vrasjes së babait të tyre Pëllumb Meta 50 vjeç, që u ekzekutua më 10 shkurt 2024 nga fëmijët e tij në shtëpinë e tyre në Shënavlash.
Sipas tij, krimin e kishin planifikuar dhe vendosën ta realizonin ditën e shtunë më 10 shkurt. Ai thotë se e kishte planifikuar bashkë me motrën Hygerta Meta 19 vjeç, ndërsa vëllai tjetër 22-vjeçar ndihmoi në fshehjen e kufomës.
“Vrasjen e kishim planifikuar më herët së bashku me motrën. Vendosëm për ditën e shtunë (10 Shkurt) sepse ishim të gjithë pushim. Babi ndodhej në një nga dhomat e shtëpisë i shtrirë. Në shtëpi ishim vetëm unë, motra dhe vëllai tjetër. Mami po merrej me punët jashtë shtëpisë. Më herët kishim siguruar të gjithë materialet që na duheshin për të mbështjellë trupin. Unë e qëllova babin katër herë në trup. Aty ishte dhe motra, ndërsa vëllai i vogël hyri në dhomë vetëm pasi dëgjoi të shtënat. Nuk u ndikuam nga situata dhe të tre vepruam për ta mbështjellë dhe groposur. Dy ditë më pas (12 shkurt) lëviza makinën e babit drejt pishave në sektorin Rinia. Në kthim më mori vëllai. Donim që të besohej zhdukja e tij. Më pas më 13 shkurt vendosa të denoncoj zhdukjen e babit. Babi ishte autoritar dhe i padurueshëm në familje. Nuk kishim rrugë tjetër. Mami nuk ka pasur dijeni për ngjarjen”, ka deklaruar Hysen Meta.
Policia e Durrësit ka arrestuar 3 fëmijët e Pëllumb Metës për vrasjen. Hysen Meta 24 vjeç akuzohet se ka shkrepur armën, vajza Hygerta 19 vjeç që ka qenë pjesëmarrëse në organizim dhe në krim, ndërsa djali tjetër 22-vjeçar për fshehjen e kufomës.