Javën e kaluar është mbajtur edicioni i 74-të i festivalit më të vjetër në Evropë, “Sanremo”, në Itali.
Mes shumë konkurrentëve, fituese u zgjodh artistja e re italiane Angelina Mango, e cila do të jetë njëherësh përfaqësuesja e Italisë në “Eurovision 2024”.
Vetëm pak ditë pas shpalljes së aj si reprezentuese e shtetit italian, Angelina është bërë një nga favoritët për të fituar edicionin e sivjetmë të Eurovisionit, i cili mbahet në Malmo të Suedisë.
Kënga e saj me titull “La noia” aktualisht është e dyta në bastet për fituesin e Eurovisionit, me 8 për qind shanse për të fituar – sipas atyre që luajnë bastet për festivalin evropian.
Përpara Angelinës aktualisht janë përfaqësueset e shtetit ukrainas, Alyona Alyona dhe Jerry Heil me këngën e tyre “Teresa and Maria”.
Me katër disqe të shpërblyera platin, dy të arta, turneun me bileta ta shitura, paraqitjet në krye të listave të shitjeve dhe disa nga këngët më të luajtura në radio, Angelina Mango ishte një nga yjet që “shpërtheu” gjatë vitit 2023 në Itali.
Shqipëria përndryshe përfaqësohet sivjet në Eurovision, nga këngëtarja e njohur shqiptare Besa Kokëdhima, me këngën “Zemrën n’dorë”.