Gjykata e Janinës ka refuzuar kërkesën për azil politik të 31-vjeçarit shqiptar, Leart Haxhiu. Haxhiu u vu në pranga nga autoritet greke me 23 maji të vitit që lamë pas ndërsa akuzohet për vrasje nga gjykata e Lushnjes. I riu shqiptar u arrestua me dokumente false gjeorgjiane.

Kërkesa e shqiptarit për azil politik ka ardhur nga mbrojtësit e tij të cilët kanë argumentuar se jeta e Haxhiut rrezikohet nga bandat në Shqipëri. Haxhiu njihet për një sërë krimesh të bëra në qytetin e Lushnjes, ku mbi të rëndojnë akuzat për vrasjen e tre personave.

31 vjeçari dyshohet se është atentatori kryesor i ngjarjes së 11 shtatorit 2017 në Lushnje, ku mbetën të vrarë, Jurgen Hoxha dhe Samir Latifi. Gjithashtu ai është i akuzuar për vrasjen e Gerti Salës, i njohur ndryshe si “Iriqi”, anëtar në bandën e Lushnjës në vitin 2009.

Haxhiu dyshohet se ka qenë edhe autori kryesor i plagosjes me pistoletë me 25 shtator të 2016-ës të Saimo Xheliut, ku po në të njëjtin vit ai ka tentuar që të ekzekutojë edhe nipin e Aldo Bares, Xhuljo Shkurti në qendër të Lushnjës.