Dokumentin e firmosur nga 11 parti politike për zyrtarizimin e Federatës së Opozitës së Bashkuar, Ilir Meta e konsideron si një përpjekje për të rikthyer vendin në shinat kushtetuese. Mungesën e firmës së Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike zyrtare, Meta thotë se nuk e ka vënë re, por për të rëndësi ka qëllimi i dokumentit dhe jo nënshkruesit.
“Ai dokument që është bërë publik, besoj se është shumë parimor dhe është në përputhje të plotë me objektivat e Partisë së Lirisë. Nuk kam parë fare se kush e ka firmosur këtë dokument. E kam firmosur sikurse do firmosja gjithçka pozitive që i shërben përpjekjeve të përbashkëta për të rikthyer vendin në shinat kushtetuese”, tha Meta.
Pavarësisht mungesës së Lulzim Bashës në tryezën e krijimin të federatës, kreu i Partisë së Lirisë i bëri një ftesë publike për t’u bashkuar me opozitën. “Unë nuk jam këtu për të përjashtuar askënd që ka vullnet, që ka dëshirë dhe që është i lirë të vendoset përballë narkoqeverisë dhe narkoshtetit. Jam për bashkimin e gjithë forcave të vërteta opozitare në një përpjekje për largimin e një regjimi mafioz”, shtoi Meta.
I pyetur për protestën e 20 shkurtit, Meta theksoi se mbështet çdo tubim kundër qeverisë duke konfirmuar se Partia e Lirisë do jetë në shesh bashkë me Partinë Demokratike të Rithemelimit. “Protesta është padyshim është shprehje e demokracisë, qetësi ka vetëm në diktaturë dhe varreza”.