Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku thotë se është pjesë grupit parlamentar të drejtuar nga Gazment Bardhi dhe se procesi i bashkimit të partisë duhet të vazhdojë.
“Nuk ka asnjë diskutim që unë jam pjesë e grupit parlamentar. Ky është një proces dhe nuk e ndajmë dot me thikë “e bëtë apo nuk e bëtë”. Ky është një proces që unë besoj se do të vazhdojë dhe dëshira imë është që në këtë proces të bashkohet çdo zë opozitar. Me zotin Bardhi kam luksin që të bie dakord dhe të mos bie dakord.
Ai është edhe miku im. P.sh, unë nuk bie dakord me të dhe me vendimin e grupit për aksionin në Parlament. Arsyet janë të drejta, por mënyra sesi po shkojnë gjërat, mendoj se nuk po na ndihmojnë.
Sepse bashkimi i partisë pa lënë jashtë askënd, në frymën e konfederatës, bashkë me protestën, bashkë me Parlamentin, duhej të kombinoheshin të gjitha bashkë”, thotë ajo.
Sipas saj, Partisë Demokratike i duhet çdo zë opozitar.
“PD-së i duhet bashkimi i çdo zëri opozitar, i duhet kushdo. PD-së i duhet të kalojë përtej individëve. I duhet të kalojë tek qytetarët. Secili prej nesh duhet të tejkalojë veten. Unë e kam dhënë shembullin tim, kam dhënë dorëheqjen nga pozicionet që kam patur”, tha ajo.
Kujtojmë që Jorida Tabaku u vu nën një sulm të ashpër nga mediat pranë Sali Berishës pak ditë më parë, pse ajo nuk u bë pjesë e “bashkimit” Bardhi-Noka.
Dhe pas këtyre sulmeve, duket se Tabaku ka “reflektuar”, fillimisht duke u shfaqur në protestën e 20 shkurtit dhe tani duke thënë se është pjesë e grupit Bardhi. Grup që i është bashkuar Berishës.