Sanksionet ekonomike të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës kanë dëmtuar vendin me rreth 300 milionë euro, derisa kjo shifër mund të rritet, pasi janë mbi tetë muaj nga vendosja e tyre. Kështu vlerësojnë disa ekspertë të ekonomisë, të cilët i bëjnë thirrje BE-së, t’i heqin ato.
Të njëjtit vlerësojnë se nga këto masa, Kosova është duke humbur investitorë të huaj, pasi hezitojnë të investojnë në një vend që është i sanksionuar nga Bashkimi Evropian. Ndërsa thonë se është esenciale që të gjendet një zgjidhje para se BE të futet në ciklin e vet zgjedhor, pasi do të rrezikonte që këto masa të zgjasin me muaj të tërë. Megjithatë, kritikojnë edhe reformat e dobëta nga ana e qeverisë në ekonominë e vendit.
Kryetari i Odës Ekonomike (OEK), Lulzim Rafuna thotë se nga sanksionet e BE-së, janë rreth 300 milionë euro, projekte të bllokuara.
Rafuna derisa bënë thirrje institucioneve të BE-së që këto masa të hiqen, kërkon edhe nga institucionet e vendit që t’i plotësojnë kushtet, dhe të jenë në koordinim me BE-në, në mënyrë që Kosova mos të jetë e sanksionuar.
Ai thotë se projektet kanë qenë të dedikuara në shpenzime ose investime kapitale që do të ndikonin drejtpërdrejt në rritjen ekonomike dhe ngritjen e mirëqenies sociale për qytetarët e Kosovës.
Rafuna vlerëson se BE duhet të vendosë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, për agresionin që bëri në Banjskë gjatë vitit të kaluar. Ai rithekson se ka grante të cilat Kosova nuk ka mundësi t’i marrë më, siç është Fond për digjitalizimin, ku sipas tij, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor morën hisen e vet, ndërsa vendi ynë ishte i përjashtuar pikërisht për shkak të masave që i kishim.
Se këto masa janë duke e dëmtuar ekonominë e vendit e thotë edhe drejtori ekzekutiv i Institutit Riinevst, Alban Hashani. Hashani derisa thotë se masat e vendosura nga BE, janë të padrejta, shton se vendi është duke humbur edhe shumë investitorë të huaj.
Hashani vlerëson se është esenciale që të gjendet një zgjidhje para se BE të futet në ciklin e vet zgjedhor, pasi sipas tij, do të rrezikonte që këto masa të zgjasin me muaj të tërë. Anën tjetër, njohësi tjetër i ekonomisë, Florin Aliu vlerëson se ekonomia e vendit ka ngecur për shkak reformave jo të mira nga Qeveria, dhe jo për shkak të masave nga ana e BE-së.
Kujtojmë se këto masa nga Bashkimi Evropian kundër Kosovës kanë ardhur për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.