Në konferencën e përbashkët, kryeministri Edi Rama dhe presidenti turk ndër të tjera cekën dhe konfliktin në Rripin e Gazës. Kreu i qeverisë theksoi se ndan të njëjtën pikëpamje sa i takon zgjidhjes së konfliktit që ka marrë mijëra jetë. Rama theksoi domosdoshmërinë e krijimit të dy shteteve dhe një garancie nga 5 shtetet e Lindjes së Mesme dhe Turqia.
“Nuk diskutohet dhimbja dhe shqetësimi për atë që po ndodh në Gaza,. Ne jemi të bindur se është koha për një armëpushim që duhet lidhur me lirimin e pengjeve dhe patjetër duhet garantuar nga një forcë e përbashkët e 5 vendeve të Lindjes së Mesme dhe Turqisë. Unë e kam ndarë edhe me presidentin, Turqia është një aktor i pazëvendësueshëm në garantimin e të nesërmes për Gazën dhe Izraelin, së bashku me 5 vendet e tjera. Natyrisht nëse ne e ndajmë të njëjtën pikëpamje për domosdoshmërinë e 2 shteteve, kjo zgjidhje kërkon garancitë e veta dhe një bashkim forcash i vendeve arabe me Turqinë në kushtet kur nevoja për garanci dhe rikrijimin e një besimi pas masakrës së ndodhur ndaj njerëzve të pafajshëm është kaq e madhe saqë pa të do jetë e pamundur të ketë çfarëdolloj kthimi tek arsyeja”- u shpreh Rama.