Gjatë muajit janar 2024 në vendin tonë, numri i turistëve të huaj u rrit 30% në krahasim me vitin 2023 dhe ndër grupet me rritjen më të lartë të hyrjeve turistike në krahasim me një vit më parë, renditen hyrjet nga Polonia me një rritje 411,8%.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur në rrjetet sociale se rritja e numrit të turistëve është një ogur i mirë për një vit fantastik.
“Mes turistëve nga tregje të konsoliduara e atyre të reja që zgjodhën ta zbulojnë e shijojnë Shqipërinë në janar, duke qenë prova e qartë dhe oguri i mirë për një vit fantastik, turizmi po konfirmohet si kartëvizita më e dashur e Shqipërisë në botë”, shkruan Kumbaro.
“Vetëm në janar pritëm 30% më shumë flukse vizitorësh krahasuar me vitin 2023, teksa vende të reja shtojnë peshën e tyre në hartën e prurjeve turistike”, vijon Kumbaro.
Ndërkohë, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit ka publikuar dhe shifrat. Gjatë muajit janar 489,599 turistë të huaj kanë vizituar vendin tonë ose 30% më shumë se janari i vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të përpunuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në krye të listës renditen shtetasit e Kosovës, me 215 mijë vizitorë ose rreth 30% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ndjekur nga vizitorët italianë të cilët kanë qenë 53 mijë ose 50,4% më shumë, ndërsa të tretët renditen vizitorët e Mali të Zi me 52,662 hyrje ose +32,6% krahasuar me janarin e vitit të mëparshëm.
Po ashtu, ndër grupet me rritjen më të lartë të hyrjeve turistike në krahasim me një vit më parë, renditen hyrjet nga Polonia me një rritje 411%, Rumania me mbi 120%, Spanja me rritje 104%, Anglia me 10,545 vizitorë apo 62% më shumë se janari i vitit të kaluar, Suedia me një rritje 73% e Franca me rreth 3 mijë vizitorë, apo 41,7% më shumë krahasuar me janarin e vitit 2023.