Nga Hasan Bello/

Në dhjetor të vitit 1922, qeveria shqiptare miratoi ligjin mbi vagabondat dhe të papunët. Ai kishte si qëllim të disiplinonte jetën sociale. Kjo për shkak se në qytetet shqiptare, bashkë me rritjen e urbanizimit lindën disa fenomene negative. Kështu, të mikluar nga hapja e kafeneve, restoranteve dhe e disa hoteleve në qytete të ndryshme dhe sidomos në kryeqytet, u dyndën individë nga periferitë. Pjesa dërrmuese e tyre endeshin rrugëve si lypës apo si të papunë, duke u kthyer në burim kriminaliteti.

Ligji mbi vagabondët u huazua nga Franca dhe shtetet perëndimore, të cilët, me këtë dukuri ishin përballur shumë dekada përpara nesh.

Në pikën e parë të këtij ligji përcaktohej se vagabond konsiderohej çdo person, i cili endej si i papunë nëpër rrugët e qyteteve më tepër se 15 ditë. Iniciativa për të gjetur punë, për personat që ndaloheshin nga policia, çmohej nga gjykatësi duke marrë në konsideratë biografinë e tij.

Në kategorinë e vagabondave futeshin edhe lypsat, të cilët kishin aftësi për punë, por, për arsye subjektive zgjidhnin këtë “profesion”.

Vagabondat fillimisht do të këshilloheshin nga organet policiore që të mos shëtisnin lart e poshtë, por të sistemoheshin diku. Kjo do të shënohej në një regjistër të posaçëm, ku do të firmoste si polici ashtu dhe “kandidati” për vagabont. Në rast se personi nuk gjente punë brenda dy javëve, ai do të arrestohej dhe nxirrej në gjyq. Ata që provoheshin se e kishin për herë të parë dënoheshin 25-100 franga ari dhe me dy javë deri në dy muaj me punë të detyruar në ndërtimin e rrugëve publike. Përsëritësve, sipas ligjit, u dyfishohej ndëshkimi.

Këto masa vlenin edhe për të papunët që kishin aftësi për punë, por që nga dembelizmi endeshin nëpër kafene apo kumarhane.