Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka dhënë detaje në lidhje me Amnistinë Penale, ku tha se kategoritë që do të përfitojnë për ndërtimet e paligjshme janë ata që kanë ndërtuar pa leje në tokën e vetë apo në kushtet e një leje të shfuqizuar në pronësi të vetë. Të përjashtuar nga amnistia, sipas Manjës, janë ata që kanë ndërtuar në tokë e tjetrit ose në tokën shtetërore.

“Ne do vijmë dhe në diskutimin nen për nen të këtij projektligji. Por dy paragrafë të nenit 199a që lidhen me ndërtimet pa leje, janë kategori përfituese nga kjo amnisti., Flas për personat që janë ende në hetim ose në proces gjykimi nga gjykata sepse si kategori përfituese të dënuarit është ndërtimi i paligjshëm.

Ne kemi kërkuar që kush ka ndërtuar pa leje në tokën e vetë apo në kushtet e një leje të shfuqizuar në pronësi të vetë, të jetë kategori përfituese.

Kush ka ndërtuar pa leje për plotësimin e nevojave për strehim, është kategori përfituese, dhe këtu i referohen nenit 199a. Natyrisht që nuk janë kategori përfituese, paragrafi i tretë dhe i katërt, ata që kanë ndërtuar në tokë e tjetrit ose në tokën shtetërore. Kemi dashur tu japim mundësinë të përfitojnë nga kjo mundësi, të gjithë ata kategori personash që kanë ndërtuar në tokën e tyre, për strehim”, tha Manja.