H.E. Mr Ulsi Manja Minister of Justice of Albania, visited the ICC today and held meetings with the President, the Prosecutor and the Registrar of the Court.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja gjatë vizitës në Hagë u takua me dy personalitete të larta të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, presidentin e GJNP Piotr Hofmański dhe kancelarin e kësaj gjykate Osvaldo Zava Giler. Në një postim në rrjetet sociale, Manja tha se, “vendimet e GJNP në jo pak raste kanë ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve në vatra të caktuara të konflikteve ndërkombëtare dhe kanë sjellë paqe për njerëzimin”.

“Fondi i besimit, i krijuar për të kompensuar viktimat e krimeve ndërkombëtare krahas ndëshkimit penal të autorëve të tyre, i jep kësaj gjykate dimensionin e bërjes së një drejtësie të plotë ndërkombëtare”, theksoi Manja. Ministri Manja u shpreh se “vizita në shtëpinë e drejtësisë në Hagë është përherë një mundësi reflektimi për një botë më të drejtë dhe pa konflikte”.

“Vendi ynë si mbështetës i Statutit të Romës dhe akteve të tjera ndërkombëtare në lidhje me krimet e luftës, gjenocidit, iu bashkua që në fillim kësaj iniciative dhe nesër bëhet shtet nënshkrues i Konventës Lubjanë-Hagë”, tha Manja.

Gjatë vizitës në Hagë Manja nënshkroi Konventën për Marrëveshjet për Zgjedhjen e Gjykatës dhe Protokollin për Ligjin e Zbatueshëm për Detyrimet Ushqimore, në prezencë të Christophe Bernasconi, Sekretar i Përgjithshëm i Byrosë së Përhershme për të Drejtën Ndërkombëtare Private (HCCH) dhe Jules van Eijndhoven, nga Ministria e Punëve të Jashtme holandeze.