Shqipëria dhe Italia nënshkruan në datën 6 shkurt marrëveshjen për njohjen e sigurimeve shoqërore. Nënshkrimi i marrëveshjes u bë në Romë nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani si dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani. MEPJ bëri sot të ditur se kur dhe si hyn në fuqi kjo marrëveshje. Pas nënshkrimit të marrëveshjes bëhet ratifikimi i saj nga të dyja shtetet kontraktuese.

Më pas vijohet shkëmbimi i dokumenteve të ratifikimit. Hyrja në fuqi e marrëveshjes bëhet njëkohësisht me marrëveshjen administrative për legjislacionin zbatues. Janë rreth 550 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 20 mijë shtetas italianë, që nga zbatimi i marrëveshjes do të sigurojnë bashkimin e periudhave kontributive, duke bërë të mundur që asnjë vit pune të mos humbasë.

Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë përfitimet për pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen dhe sigurimin e papunësisë. Marrëveshje të ngjashme deri tani janë nënshkruar me Austrinë, Maqedoninë e Veriut, Belgjikën, Malin e Zi, Çekinë, Rumaninë, Gjermani, Turqi, Hungari, Zvicër, Kanadanë, Bullgarinë, Kosovën, Kroacinë, Luksemburgun dhe Italinë.

Gjithashtu, 17 marrëveshje për Mbrojtjen Sociale janë në proces negocimi me shtetet Greqi, Moldavi, Danimarke, Slloveni, Holandë, Australi, SHBA, Francë, Poloni, Suedi, Serbi, Norvegji, Spanjë, Islandë, Mbretëri E Bashkuar, Finlandë, EBA.
Ndërsa 3 marrëveshje për Mbrojtjen Sociale janë në proces vlerësimi me: Indinë, Izraelin dhe Arabinë Saudite.