Në rrjet është bërë virale një video e kreut të VMRO-DPMNE, Hristian Mickoski të cilën Shqip.com po e publikon të plotë, ku gjatë një interviste televizive pranon se ai në bashkëpunim me Arben Taravarin po përçajnë Aleancën për Shqiptarët dhe në tërësi elektoratin shqiptar në prag të zgjedhjeve parlamentare të 8 majit. Skenari duket i thjeshtë. Mickoski, njihet ndryshe si kryetari “kukull” i Nikolla Gruevskit i cili kontrollon ekstremistët e VMRO nga arratia, pasi prej vitesh ndodhet në kërkim ndërkombëtar që nga dënimi me burg nga drejtësia në Maqedoninë e Veriut. Kreu i VMRO ka arritur të ketë në dorë tashmë Arben Taravarin dhe një grup të vogël mbështetësish të tij. I gjithë synimi është ndarja e ASH në dy pjesë, përçarja e shqiptarëve dhe reduktimi i numrit të deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Për Mickoskin përçarja e shqiptarëve në RMV është tashmë fakt i kryer dhe e pranon këtë në intervistën televizive për median maqedonase.
“Unë ju garantoj, mbajeni mend këtë që ju them që, dallimi mes bllokut të konsoliduar shqiptar thënë shkurtimisht dhe BDI-së e cila do të jetë në koalicion me PDSH-në, ajo që ka ngelur nga ajo dhe nga ajo që do të ngelë nga Aleanca për Shqiptarët, nuk do të jetë ashtu siç ata e mendojnë, dallimi do të jetë shumë i vogël. Por mund të përballen edhe me humbje“, këto janë fjalët e Hristian Mickoskit. Artikulimi dhe verbi i tij politik do të thotë se jemi përpara një pazari të madh, pazar i cili ia ka arritur tanimë qëllimit të tij dhe përçarja e shqiptarëve do të jetë realitet në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, nëse nuk reflektohet në kohë. Përçarja e shqiptarëve padiskutim që i konvenon VMRO-së, Mickoskit dhe sigurisht Gruevskit e filozofisë së tij prej antishqiptari të tërbuar gjë që e ka dëshmuar këtë gjatë 10 viteve të tij si kryeministër. VMRO në opozitë nuk e ka “luftën” me LSDM-në në pushtet, por e ka me shqiptarët dhe tendencën për t’i shfaktorizuar ata.
Arben Taravari, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, pra të vetëquajturit blloku opozitar shqiptar, kanë detyrimin moral të dalin para shqiptarëve dhe të japin llogari për rreshtimin e tyre përkrah një force politike opozitare maqedonase që karakterizohet nga fryma dhe ideologjia naziste e cila i sheh si armiq shqiptarët shtetformues të Maqedonisë së Veriut. Kujt i shërben në të vërtetë çmontimi elektoral i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut? Dhe tjetra, a rrezikojnë shqiptarët të humbin të drejtat e fituara dekadën e fundit nga ato elementare si përdorimi i gjuhës shqipe, mësimi në gjuhën amtare, simbolet kombëtare, vendet e punës në administratë, polici, dogana e ushtri etj.,?
Një përgjigje lipset nga të gjithë të përmendurit. Përndryshe jemi përpara një tradhtie kombëtare! Dhe kjo është e pafalshme!
Pjesë nga intervista e Mickoskit
Mickoski: Ruajeni intervistën që pas zgjedhjeve ta komentojmë!
Gazetarja: Nëse BDI është fituesi i paprekshëm në bllokun shqiptar, çfarë do të bëni?
Mickoski: Nuk e di çfarë nënkuptoni me atë fitues i paprekshëm në bllokun shqiptar.
Gazetarja: Fitues, fitues të elektoratit shqiptar…
Mickoski: Përderisa matematika lejon që ne të kemi mundësi për të formuar qeveri me opozitën e konsoliduar në bllokun opozitar, ajo mundësi qëndron si e hapur. Tani nëse rezultati është 22 me 5 ose nëse është rezultati 20 me 6 ose 7, i qartë është parametri nëpër të cilin duhet të lëvizim. Por kjo nuk do të ndodhë. Nuk do të ndodhë. Unë ju garantoj, mbajeni mend këtë që ju them që, dallimi mes bllokut të konsoliduar shqiptar thënë shkurtimisht dhe BDI-së e cila do të jetë në koalicion me PDSH-në, ajo që ka ngelur nga ajo dhe nga ajo që do të ngelë nga Aleanca për Shqiptarët, nuk do të jetë ashtu siç ata e mendojnë, dallimi do të jetë shumë i vogël. Por mund të përballen edhe me humbje.