Viti 2016 shënoi një ngjarje të tmerrshme në jetën e Ramazanit. Ndërsa ndodhej një ditë në shtëpinë e tij Kavajë pasi është emigrant prej 27 vitesh në Itali, vendosi të provonte armën e gjahut. Një inspektor i policisë e arrestoi menjëherë dhe prej aty ai u gjobit, më pas iu hoq leja e armës dhe në fund, erdhi një shkresë ku e cilësonte si person me precedent kriminal dhe trafikant i qenieve njerëzore.
Këtë ngjarje që Ramazani e ndau mes lotësh në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, po e dëgjon edhe drejtori i Hetimeve të Krimeve të Rënda, Ervin Hodaj. Ai është ftuar nga Ramazani, por ai nuk e di se Hodaj ka mbërritur. Në këtë pikë të rrëfimit, Ramazani është ndalur në dëmin psikologjik që i ka shkaktuar ky gabim atij dhe familjes sepse po i shtynte drejt vetëgjyqësisë.
Ramazan: Çunat e kanë marrë vesh rastësisht pas 2 vitesh dhe vjen në shtëpi djali, “babi hajde këtu, pse s’ke treguar?” I them, i zgjidh vetë babi punët e mia, ti nuk ke punë, shiko familjen tënde, punët e tua, mos shkatërro jetën tënde se u hallakat keq ky, “pse s’ke thënë gjë, pse s’ke bërë gjë, pse të bëjnë kështu”…çfarë halli ke i thashë, e zgjidh unë problemin, unë nuk jam njeri i ngelur kështu që po më deshe mua… “jo ç’ke ti”, jo, do zësh kokën e fëmijëve pastaj, thuaj për kokë të fëmijëve që nuk bëj asgjë, “për kokë të fëmijëve”, më tha, “nuk bëj asgjë”. Dhe këtu e mbylla.
Ardit Gjebrea: Pra ti kishe frikën e vetëgjyqësisë.
Ramazan: Ardit, po e përsëris prapë për këtë person që ka ardhur, ky jo se më ka shpëtuar mua, ky ka shpëtuar tri jetë robsh dhe jetën time 4, po. Mos të më ishte zgjidhur mua ky problem…
Ardit Gjebrea: Çfarë do bëje?
Ramazan: Do ta bëja këtë që the ti, isha i vendosur, isha i shkatërruar, jo i vendosur se unë kam qenë shumë i fortë. Që kur më ka ndodhur kjo, nuk mund të flas dy fjalë. Ki parasysh, para dy vitesh më ra infarkt në Itali. Nga ky shqetësim se shkoja e vija, vinin çunat prapa “o babi mos ik” se ishte kjo more Ardit, si ky Ramazani person me precedent kriminal dhe trafikant i qenieve njerëzore?
Ardit Gjebrea: U përhap lajmi për ty në lagje?
Ramazan: Jo në lagje, se unë dilja çdo ditë te sheshi në Kavajë, çdo ditë që dilja aty, disa si me ledha, disa si përsëritje, “o kriminel, o i persekutuar, o kështu”, ma harruan emrin! Edhe sot e njëjta punë. S’mund të dilja e të hyja në kafe, “ou shikoje këtë, ia kanë nxirë të shkretit, ia kanë nxirë figurën”./tvklan.al