Shqipëria do të mbetet një prej destinacioneve të preferuara turistike në rajon edhe për sezonin në vijim. Vitin e kaluar vendi ynë e mbylli bilancin me shifra rekord, plot 10 milionë turistë vizituan Shqipërinë duke përfituar prej resurseve të saj të shumta turistike.

Mediat ndërkombëtare vijojnë t’i kushtojnë një hapësirë të konsiderueshme shndërrimit të Shqipërisë në vendin ideal për të kaluar pushimet e verës, por jo vetëm. E fundit është media amerikane “Travel off Path” e cila në një artikull iu sugjeron Shqipërinë edhe nomadëve digjitalë, profesionistëve të fushës së teknologjisë digjitale si vendi ideal nga ku ata mund të ushtrojnë profesionin e tyre për kompani të ndryshme të huaja.

Veçanërisht për amerikanët, shkruan “Travel Off Path”, autoritetet shqiptare japin leje qëndrimi 1-vjeçare, të cilat nuk janë të vlefshme për qytetarët e vendeve të tjera.

Si destinacione të preferuara për t’i vizituar apo për të jetuar, “Travel Off Path” rendit Tiranën, kryeqytetin shqiptar i njohur për klimën e ngrohtë e me diell, kafenetë e shumta, por edhe për çmimet e favorshme, ku kostoja e një muaji shkon vetëm 1 145 dollarë.

Durrësi me trashëgimi greko-romake por edhe bregdeti i jugut me plazhet e kaltra, veçanërisht Ksamili ku akomodimi për një natë fillon nga 22 dollarë, rekomandohen nga “Travel Off Path” si destinacione të nomadëve digjitalë, krahas Gjirokastrës së UNESCO-s apo edhe Shkodrës shumëngjyrëshe në veriun e Shqipërisë.