Deputetja e PDIU e ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 ka komentuar zhvillimet rreth çështjes së Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës që mbahet i burgosur prej 12 majit të vitit të kaluar. Doda u shpreh se Beleri është një fenomen që nuk duhet të ekzistonte në politikën shqiptare, pasi sipas saj ai është vendosur aty qëllimisht për të shërbyer si një kalë troje.
Sipas saj Beleri është një person që ka shprehur hapur anti-shqiptarizmin e tij, ndërsa theksoi se atdheu është më i rëndësishëm se përballjet apo interesat politike. “Besoj që Beleri është një fenomen që nuk duhet të ekzistonte në politikën shqiptare. Më kujtohet kur PD dhe PS janë bërë bashkë që Himara të mos merrej nga një person me prirje nacionaliste greke.
Beleri është vendosur aty qëllimisht për të shërbyer si një kalë troje. Atdheu është më i rëndësishëm se cdo interes apo përballje politike. Nuk mund të lejohet që një njeri që ka shprehur hapur anti-shqiptarizimin e tij të vendoset si kandidat politik. Shqipëria dhe Greqia mos harroni janë shtete armike zyrtarisht, janë në luftë. Nuk e di si mendohet të bëhet marrëveshja e ujërave kur akoma nuk kemi nënshkruar një traktat paqeje. Ky është hapi i parë që duhet të merret për të hapur një faqe të re në marrëdhëniet mes dy vendeve”, u shpreh ajo.