Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu zhvilloi një vizitë në Qendrën Sociale në Ndihmë të Njerëzve në Nevojë, në Fushë Arrëz.
Së bashku me kryetarin e Bashkisë së Fushë Arrëzit, Hil Curri, deputetin Frrok Gjini, prefekten e qarkut të Shkodrës, Majlinda Angoni Jubani, ministrja Koçiu u takua dhe bisedoi me qytetarë të Fushë Arrëzit, si dhe të rinj të Qendrës Sociale në Ndihmë të Njerëzve në Nevojë, e cila pak ditë më parë mori dhe statusin e “Ndërmarrjes Sociale”. Ky status do të japë një nxitje të re qoftë në aplikimin e projekteve, qoftë në integrimin më të mirë të shtresave sociale nëpërmjet grumbullimit të bimëve medicinale dhe frutave të pyllit.
Në fjalën e saj ministrja Koçiu u shpreh krenare që qeveria dhe MSHMS po e mbështesin këtë sipërmarrje prej disa vitesh, duke e bërë që të zhvillohet akoma më shumë nëpërmjet fondit social, për të vijuar dhe për të ofruar shërbimeve që ndihmon fuqizimin e grave, nënave dhe vajzave që trajnohen për grumbullimin dhe trajtimin e bimëve medicinale. Qendra ditore ofron shërbime për të rinjtë, gratë, vajzat, të moshuarit, si dhe organizon aktivitete të ndryshme me mbështetje edhe të disa ambasadave.
Koçiu është shprehur se bashkë me Bashkinë e Fushë Arrëzit do të bëhet akoma më shumë punë për të fuqizuar ekonomikisht gratë dhe vajzat nëpërmjet formimit profesional, duke krijuar më shumë mundësi punësimi për të rinjtë e kësaj zone që ata ta shohin dhe ndërtojnë të ardhmen këtu.
Nga ana tjetër kryetari i bashkisë së Fushë Arrëzit, Hil Curri u shpreh se sfida nga ana e bashkisë është që këta të rinj t’i mbajmë në këtë vend, ndërkohë që disa kanë mundësi që të kthehen nga jashtë për të bërë më shumë për energjinë e rinovushme, për turizmin malor, apo për ekoturizmi.