Spitali Bashkiak i Pogradecit ofron shërbime shëndetësore për rreth 92 mijë banorë, por gjatë sezonit të verës, ky numër 2 dhe 3-fishohet për shkak të fluksit të lartë të turistëve që zgjedhin të kalojnë pushimet në këtë qytet.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar dhe nga kryetari i bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli ka parë nga afër investimin më të fundit në pajisje mjekësore që kanë shtuar gamën e ekzaminimeve që ofron ky spital bashkiak.

Koçiu bëri me dije se Spitalit të Pogradecit i është shtuar gama e ekzaminimeve në shërbimin e kardiologjisë, nëpërmjet instalimit të pajisjeve të reja ekzaminuese, grafi digjitale X- Ray, eko kardiake si dhe ngritjen e kabinetit të provës ushtrimore.

Ministrja falënderoi ekipin e mjekëve dhe infermierëve për përkushtimin, dedikimin dhe profesionalizmin e tyre në shërbim të qytetarëve dhe turistëve.

“Kemi bërë dhe një mbështetje të konsiderueshme lidhur me pagat që sigurisht do të vijojë edhe këtë vit edhe për mjekët e familjet dhe për infermierët”, tha ministrja.

Koçiu theksoi angazhimin për të filluar së shpejti punën për përmirësimin e infrastrukturës së Spitalit Bashkiak të Pogradecit për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve dhe ofruar kushte bashkëkohore për stafin mjekësor.

Në Spitalin Bashkiak Pogradec ofrohet shërbimi i urgjencës dhe i specialiteteve të pediatrisë, kirurgjisë, i sëmundjeve të brendshme, shërbimi obstetrik-gjinekologjisë, i radiologjisë si dhe gama e një sërë analizash mjekësore.