Julian Nagelsmann paralajmëron surpriza në skuadrën e Gjermanisë për “Euro 2024”. Organizatorët janë në Grupin A të eventit, së bashku me Hungarinë, Skocinë dhe Zvicrën.

Këtë javë, veterani Toni Kroos (34) rishikoi vendimin e tij për t’u tërhequr nga kombëtarja gjermane. Mesfushori i Real Madridit ka bërë të ditur se pas disa diskutimeve me trajnerin Julian Nagelsmaann, ka vendosur të marrë pjesë në “Euro 2024”.

Megjithatë, yje të caktuar nga kombëtarja gjermane nuk do të ftohen në “Euro 2024”. Pa dhënë asnjë emër, trajneri Nagelsmann u tha mbështetësve se do të kenë një surprizë në maj kur të shpallet skuadra për turneun final.

“Ne do të ndryshojmë skuadrën në krahasim me Botërorin e Katarit. Nuk do të jetë rasti që të thërrasin 10 lojtarë të rinj, por disa lojtarë, për të cilët shumë njerëz do të thoshin se duhet të jenë, nuk do të thirren,”- tha Julian Nagelsmann, në një intervistë për “Der Spiegel”, cituar nga GFN Germany.

Në të njëjtën intervistë, Nagelsmann njoftoi se Joshua Kimmich, mesfushori i Bayern Munich, do të përdoret si mbrojtës i djathtë në “Euro 2024”: “E njëjta gjë do të kishte ndodhur edhe nëse Toni Kroos nuk do të ishte kthyer në kombëtare”,- tha Nagelsmann.

Lidhur me rikthimin e Kroos, Nagelsmann thotë se ka folur me anëtarët kryesorë të kombëtares gjermane, të cilët nuk e kishin problem që lojtari i Real Madridit të luajë sërish për Gjermaninë.

“Kroos do të përshtatet në mënyrë të përkryer në sistemin që kam në mendje në mesfushë. Toni është lloji i lojtarit që mund të performojë nën presion dhe që qëndron i qetë edhe në ndeshjet e ndërlikuara. Pas çdo bisede që kam pasur me të kuptova se është gjithnjë e më i emocionuar për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian që do të organizojmë.

Unë fola me shumë lojtarë paraprakisht, dëgjova se çfarë kishin për të thënë për rikthimin e Kroos dhe askush nuk kishte asnjë problem. Përkundrazi, të gjithë ishin pozitivë për këtë aspekt”,- shtoi Nagelsmann.