Natasha Rombula dhe djali i saj Armando Kumaraku, ishin të fundit në listën e personave që ranë na pranga, për veprimtari kriminale që lidhen me keqpërdorimin e rrjetit social TikTok, që në muajt e fundit ka prodhuar disa ngjarje të rënda. ‘Tasha’ e cila së bashku me djalin e saj shfrytëzonin për para një fëmijë 10-vjeçar, ishte bërë e famshme për ndjekësit, pikërisht për shkak të videove që ajo postonte, ku i mituri përdorej për të fituar para.
Pasi e merrnin për pushime të miturin nga nëna e tyre, Tasha dhe djali i saj kishin ndikuar rëndë psikologjinë e të miturit, aq sa ai përdorte fjalor agresiv dhe banal me bashkëmoshatarët e tij. Kjo sjellje u denoncua në komisariat nga ish-nusja e familjes, që çoi më pas dhe në arrestimin e Tashës dhe djalit të saj. Por Tasha fatkeqësisht nuk është e vetmja….
Nëse bën një scroll në rrjetet sociale, e veçanërisht në TikTok, raste si ai i Tashës janë të shumta, ku shpesh përdoren edhe fëmijë me probleme të shëndetit mendor, apo aftësi të kufizuara. Shumë prej këtyre fëmijëve, nxirren në video live, në situata të vështira për të fituar para, pa menduar për privatësinë e tyre, apo rëndimin e gjendjes psikologjike. Si një person me pamundësi fizike e mendore, do të trajtohej deri pak kohë më parë edhe Altin Çoku, i cili u vu në prangat e policisë së Tiranës pas vetëvrasjes së 27-vjeçares Sibela Abedini. Çoku ngjashëm me Tashën, apo të tjerë si puna e tyre, dilnin në video, për të kërkuar gifte, në dukje para për të mbijetuar, por të siguruara në mënyra të paligjshme.
Vetëvrasja e Abedinit, ishte e disata në harkun kohor të pak muajve, të cilat ZËRI i ka raportuar dhe më herët. Bedrie Loka, Bruna Myzeqari dhe Fatbardha Pali, ishin më herët viktimë e bullizmit në rrjetet sociale dhe për pasojë i dhanë fund edhe jetës, në rrethana pothuajse të ngjashme.
Pavarësisht nismave të ndryshme që qeveria pretendon se ka ndërmarrë, deri tani rezultatet janë të pakta, dhe pas takimet që kanë pasur krerët e qeverisë me drejtuesit e TikTok. Që TikTok është bërë një aplikacion masiv në Shqipëri, mjafton të thuhet se kryeministri Edi Rama iu ka kërkuar drejtuesve të Partisë që të mo shohin Kozak, por të merren me shqetësimet reale të anëtarëve.
Bëmat e Kozak, që shfaqej në TikTok duke marrë kokainë, dhe më pas duke luajtur me ruletën ruse, nuk i kanë shpëtuar as vetë të kreut të qeverisë. Kozak është pikërisht fytyra e një personazhi TikTok, një nga shfrytëzuesit e parë të këtij rrjeti për të bërë para, por edhe për të krijuar armiqësi, dhe telashe me policinë. Kozak Braçi, është marrë në pranga pikërisht pas sherreve në TikTok, me një shqiptar tjetër të famshëm në këtë rrjet social, Fabio Dushkun, me ndryshimin e vetëm se ky i fundit ndodhet pas hekurave në Greqi.
Fabio nuk është kundërshtari i vetëm i Kozak, një tjetër emër që lidhet me sherret e TikTok, është Kleviol Ahmetaj, i cili së fundi ka rënë pre e një sulmi fizik në Dubai, pikërisht pas deklaratave që bën live në rrjetet sociale, ku sulmon personazhe të njohura të botës së krimit. Po ashtu një tjetër sherr i nisur nga reperi nga Lushnja, që njihet për historitë e tij që lidhen dhe me drogën, është ai që ka hapur me Noizyn, që prodhoi madje edhe disa shpërthime me tritol në bizneset e Rajkut.
Po nëse këto personazhe e kanë zgjedhur me vetëdije të bëhen të famshëm dhe ta pasur nga TikTok, shumë të tjerë jo! Madje në pjesën dërrmuese të rasteve, gratë dhe fëmijët janë viktimat më të mëdha të bullizmit dhe persekutimit. Derisa shteti të marrë fuqi për të vendosur mbi TikTok, do të duhet të jenë vetë prindërit por edhe shoqëria në tërësi që të ngrejë mekanizma kontrolli mbi materialet të cilat ekspozohen në rrjet.