Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi, zbuloi në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania, prioritet e qeverisë 100 ditore që ai do të drejtojë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. I pyetur nga gazetari Thimi Samarxhiu nëse në mbledhjen e parë të qeverisë pati kundërshtime nga ministra të caktuar, Xhaferi zbuloi se vendimarrja ishte konform ligjeve, pa kundërshtime dhe me praninë e të gjithë drejtuesve të ministrive. Ai shtoi se i vetmi ministër që mungoi ishte ministri i Punës dhe Politikës Sociale nga VMRO-DPMNE, i cili u përfaqësua nga zëvendëministri, për shkak të angazhimit personal.
“Çështja e preceptimit të qytetarëve dhe asaj që proklamojnë subjektet politike është çështje tjetër, çështja e funkisonimit të përbërjes qeveritare është çështje tjetër dhe ka qenë konform procedurave. Ka qenë prezent të gjithë ministrat, përjashto ministrin e Punës dhe Politikës Sociale që vjen nga VMRO për shkak të obligimeve që kishte ditore dhe jo se refuzoi, por ministri tjetër ishte problem. Nuk ka problem në atë drejtim, në rregullat tona këtu dhe ligjin për qeverinë kur mungon ministri përkatës, zëvendësministri nga ajo ministri i ka të gjitha kompetencat dhe të drejtat si ministri kështu në vendimarrje nuk ka pasur mungesa. Është definitive qëndrimi i zëvendësministrit sikur të ishte ministri”, tha Xhaferi.
Xhaferi zbuloi se prioriteti i qeverisë së tij është mbarëvajtja e sistemit zgjedhor, por dhe vijimi i programit të shpallur të qeverisë së mëparshme të kryeministrit Dimitar Kovaçevski.
“Çështja e funksionimit të qeverisë nuk zbatohet mbi prioritetet e kryeministrit si individ, si person, por bazohet mbi prioritetet e programit qeveritar i cili ka kaluar dhe procedurat parlamentare, për faktin se në zgjedhjet e qeverisë debatohet dhe për programin. Prioritetet e përcaktuara në programin e qeverisë që ishte në ikje, është vazhdimësia e këtij programi, plus i është shtuar dhe obligimi për organizimin, mbarëvajtjen dhe realizimin e procesit zgjedhor. Prioritet i imi duhet të jenë këto, por sipas dinamikës duhet u marrë me çështjet ditore por edhe në aspekt të asaj që është rrjedha e rregullt e punës së qeverisë”, tha Xhaferi. Ai shtoi se një nga problemetikat e qytetarëve të cilat qeveria e tij do të hartojë një plan për t’i dhënë zgjidhje është skadimi i letërnjoftimeve, për shkak të marrrëveshjes së Ohrit dhe ndryshimit të emrit.
“Problemi aktual i qytetarëve është çështja e dokumenteve personale për shkak se jemi në prag të skadimit të dokumenteve paraprake, konform marrëveshjes së Prespës, plotësimit të ndryshimeve që korrespondojnë me ndryshimin e emrit të vendit. Që nga punimet e seancës së parë dhe në mbarim të saj u hap debati i analizës së mundshme të zgjidhjeve që do dalin. U ngrit grup pune përkatës që do të bëjë analizën e përgjithshme dhe besoj që deri në seancën e radhës të kemi një vizion më të qartë të zgjidhjeve të mundhsme që do të jenë zgjidhje definitive dhe nëse kemi definitivisht zgjidhje do të dalim në ato zgjidhje konkrete që tejkalojnë nevojat dhe problemet aktuale që dalin”, tha ai. Duke u ndalur te zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen në maj, kryeministri i cilësoi ato si një moment kyç për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. Xhaferi theksoi se shumica e ardhshme parlamentare, cilado qoftë ajo, do të vijojë rrugëtimin europian të RMV, pasi është vullneti i qytetarëve që i drejton.
“Duke pasur parasysh fazën e përafrimit të procesit euro-integrues është moment kyç pasi zgjedhjet e 2024 do të jenë edhe referuese për vazhdimësinë e punës për implementimin e rrugëtimit evropian. Unë mendoj që rruga e trasume nuk ka alternativë pasi është përcaktim strategjik dhe i qytetarëve dhe institucioneve të vendit që nga përbërja e parë parlamentare pas mëvetësimit nga Jugosllavia. Përbërja e parë parlamentare ka përcaktuar dy çështje strategjike për rrugëtimin tonë nga shkëputja nga ish-Jugoslllavia, anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian. Tashmë jemi anëtarë të plotfuqishëm në NATO, jemi në proces të vazdueshëm në rrugëtimin drejt unionit europian. Të gjitha subjektet do të duhet të orientohen në atë drejtim pasi nuk ka mundësi të kthehet mbrapsht i gjithë procesi. Sepse punët kanë shkuar përpara dhe nuk do të jetë në dobi të qytetarëve për të menduar se mund të ketë kthim mbrapsht. Nuk besoj se shumica parlamentare e ardhshme do të ketë ndryshim nga ai rrugëtim që ka nisur tani dhe tre dekada”, tha ai.
Duke u ndalur te ndikimi i Rusisë në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, Xhaferi nuk e përjashtoi një gjë të tillë, por shtoi se janë marrë dhe do të vijojnë të merren të gjitha masat. “Çështja e ndikimeve anësore nuk është risi që mund të ndodh vetëm në çështjet zgjedhore, është çështje shihet gjithnjë, direkte apo indirekte. Në aspektet direkte të ndërhyrjeve, institucionet përkatëse kanë marrë dhe masa të drejtëpërdrejta me largim të diplomatëve, pjesa indirekte që nuk mund të ketë parapërgatitje, për shkak të informatave të gabuara. Pritshmëritë janë që këto informata të rreme të shtohen”, theksoi Xhaferi. Xhaferi deklaroi se në ditët e ardhshme pritet të ketë dhe një takim me kreun e shërbimit sekret në lidhje me ndikimin dhe influencës ruse në Maqedoninë e Veriut. “Si kryeministër i kam të gjitha kompetencat. Do të ketë një takim në ditët e ardhshme në bazë të kompetencave që kam”, tha ai.