Aleanca për Shqiptarët, forcë politike e drejtuar nga Arben Taravari, ndryshe nga emri që mban, po largohet gjithnjë e më shumë nga shqiptarët. Fillimisht kjo parti lidhi marrëveshje koalicioni me VMRO-DPMNE në opozitë, e cila identifikohet me ekstremistin Nikola Gruevski, i arratisuri i drejtësisë maqedonase dhe një prej antishqiptarëve më të tërbuar në Maqedoninë e Veriut. Pas kësaj rrëshqitje, Taravari ka urdhëruar bashkëpunëtorët e tij që të mbajnë qëndrime radikale ndaj shqiptarëve. E tillë është edhe një deklaratë e Ardian Limanit, sekretari personal i Arben Taravarit ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Limani e quan Ramën agjitprop në krye të byrosë politike të Tiranës si dhe argat i sivëllait të tij ideologjik, Ali Ahmeti. Sipas tij, me urimin që Rama i bëri Talat Xhaferit për detyrën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut ia kaloi edhe Ramiz Alisë.

Postimi i Ardian Limanit

Edi Rama në krye të agjitpropit të byrosë politike të Tiranës, përmes “urimeve”, po bënë argatin e sivëllait të tij ideologjik, Ali Ahmetit. Por, këtë maskarallëk nuk e bëri as Ramiz Alia i cili në kohën kur Sinan Hasani u zgjodh Kryetar i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, nuk ia uroj Azem Vllasit, as shqiptarëve këtë si arritje “historike”. Përndryshe, i urojmë shëndet dhe suksese Kryeministrit të Qeverisë kalimtare, Talat Xhaferit në kryerjen e detyrave zyrtare e teknike të transferimit të pushtetit, si rezultat i vullnetit të votuesve që me siguri është rotacioni i shumëpritur politik për të cilin kemi pritur kaq gjatë.

Forca politike që u themelua vite më parë nga Ziadin Sela me dell patriotik dhe ideal kombëtar, sot është shndërruar në “patericë” e VMRO-së së “kukullës” së Nikola Gruevskit, Hristian Mickosi. Në funksion të këtyre planeve antishqiptare që mbart tashmë në filozofinë e saj ASH është edhe tendenca e Arben Taravarit për të ndryshuar 100% listën e deputetëve të Aleancës në zgjedhjet parlamentare të 8 majit.