Doktor Ilir Kajo i ftuar në emisionin Dritarja e Doktorit foli për kancerin e zorrës së trashë. Ky lloj kanceri tha doktor Kajo, është i shërueshëm, por duhet të kapet në stade të hershme. Në intervistën e dhënë për Dritare TV, mjeku Kajo përmendi disa nga simptomat që nuk duhet të neglizhohen ndërsa shtoi se grupmosha nga 45 deri në 70 vjeç duhet të bëjnë kolonoskopinë.
“A ka mundësi që kanceri i zorrës së trashë të parandalohet? Patjetër që po. Në radhë të parë çdo grup moshë nga 45 vjeç deri në 70 vjeç duhet të bëjë kolonoskopi. Ky lloj kanceri nuk ka veçori të ndryshme te gratë apo burrat. I prek në mënyrë të ngjashme të dyja gjinitë. Nëse rezultatet e kolonoskopisë janë normale, përsëritja e saj bëhet brenda 5 vjetësh.
Por ata pacientë që kanë pasur të afërm gjaku të prekur nga ky lloj kanceri, duhet të bëjnë kolonokopi më herët. Mosha që sugjerohet është 40 vjeç . Duhet shkuar te mjeku kur nuk ke shqetësime, por nëse ke shqetësime që në moshën 30 vjeçare, atëherë është e domosdoshme të bësh kontroll.
Simptomat nuk duhen neglizhuar në asnjë mënyrë. Çdo lloj simptome që nuk është normale në defektim, prezencë të gjakut, dhimbjet e barkut, rënia e pashpjegueshme në peshë, anemi e pashpjeguar, duhet të drejtoheni menjëherë te mjeku.
Mënyra e ushqyerit dhe të jetuarit është shumë e rëndësishme. Kanceri i zorrës së trashë shfaqet më tepër te njerëzit që bëjnë një jetë sedentare, pa aktivitet fizik, që janë më të stresuar, që konsumojnë shumë brumëra, ëmbëlsira, alkool apo ushqime të konservuara.
Prandaj theksi është te ndryshimi i mënyrës së të ushqyerit dhe stili i jetesës. Tendenca e të ushqyerit mirë është me zarzavate, fruta, pula, peshku sigurisht edhe mishi i kuq. Por jo mish i konservuar. Duhet konsumuar me rregull mëngjesi, drekën dhe darkën. Duhet ngrënë mesvakte. Konsumuar mbi 3 litra lëngje në 24 orë dhe lëngu më i mirë është uji. Aktiviteti fizik është shumë i rëndësishëm dhe nuk po flas për ecje apo shëtitje, por lëvizja me një ritëm më të shpejtë.