Nga Ylli Pata
Këto zgjedhje parlamentare, përkatësisht të 2025-ës janë të parat që ndodhin në këtë gjendje paqartësie. E në fakt janë më interesantet, pasi shumë pak vetë e dinë mirë çfarë ndodh. Aq më pak panelistët, të cilët janë aty, jo për të thënë atë që mendojnë, por atë që ata duhet të thonë për arsyen që janë thirrur në panele, e ku realisht punojnë.
Në vitin 2012, përkatësisht në dhjetor u mbyll realisht marrëveshja ndërmjet Ilir Metës dhe Edi Ramës për koalicion të përbashkët. Por askush nga televizionet e mëdha nuk e thanë, edhe pse e dinin të gjithë. Nuk e thonin, pasi si Rama, Meta, apo Berisha u thonin që “nuk është koha tani”.
Më pas erdhi periudha e gjatë e qeverisjes së Edi Ramë, nga njëra anë dhe anën tjetër lufta për ta rrëzuar me të gjitha mjetet nga Berisha-Meta-Basha deri në vitin 2021. Mirëpo këtë herë, në herën e katërt të mazhorancës, kemi një gjendje krejt të re politike. Kemi një palë që flet për zgjedhje, ose në fakt disa palë, ndërsa një palë që vijon me logjikën “s’ka zgjedhje me Edi Ramën”. Flamur Noka, nukri dy i Foltores e bëri të qartë para pak ditësh në emisionin e Erla Mëhillit, se nuk do të ketë zgjedhje, ose të paktën deri tani Foltorja nuk po mendon të futet në zgjedhje.
Mirëpo Ilir Meta, njerëzit e tij përreth, por edhe Gazmend Bardhi, e deputetët që ai mbledh si përshembull Ervin Saljanji, flasin për një koezion opozitar për të zgjedhur një kandidat për kryeminisër përballë Edi Ramës. Një gjuhë, që shkon krejt kundër asaj që mendon Sali Berisha. Flamur Noka, në debatin me Ylli Manjanin e përjashtoi këtë tezë në mënyrë kategorike.
Sot, Noka ka mbledhur strukturat e Foltores, për të vendosur për protestën e së hënës, që sipas tyre do të jetë fillimi i një stine të gjatë përplasjeje me mazhorancën. Në takim, përveç Nokës, Albana Vokshit, ishin Luçiano Boçi, Luan Baçi, Tritan Shehu, Bujar Leskaj e Oerd Bylykbashi. Munguan qartësisht deputetët që u larguan nga PD e Bashës dhe prej kohësh kanë një aksion të përbashkët me Foltoren. Madje nuk u vu re as Edmond Spaho.
Dy grupimet brenda opozitës, ai i Gazmend Bardhit dhe Ilir Meta, pritet të hyjnë fort në aksion për të tentuar të marrë pjesën e militantëve të Foltores, e cila është në gjendje të vështirë nga arresti në shtëpi i Sali Berishës. Nga ana tjetër, si doktori, por edhe njerëzit e tij kanë rritur dyshimet për aksionet e dy fraksioneve që i konsiderojnë aleatë. Sidomos pas takimit të Gazmend Bardhit në zyrën e të dërguarit Special për Ballkanin Gabriel Escobar.
E pas këtij takimi, por sidomos pas deklaratave të Saljanjit për një qëndrim të koordinuar të opozitës me SHBA, njerëzit mediatikë të Berishës, rikthyen fabulën e vjetër kundër ndërkombëtarëve. Batuta e Çim Pekës se “ambasadorët pasurohen këtu, shikoni Yuri Kim që kur erdhi ishte si plaka ime e kur iku ishte si Monica Beluçi”, nuk se ka lidhje më për të riaktivizuar një luftë të dështuar donkishoteste me ndërkombëtarët. Ajo luftë është e përfunduar dhe tashmë e humbur plotësisht. Madje zgjedhjet e 14 majit të vitit 2023 nuk ishin realisht një betejë mes Berishës e Metës përballë Edi Ramës, por një luftë mes amerikanëve dhe Sali Berishës.
Para zgjedhjeve pati një deklaratë të fortë të Gabriel Escobar, i cili tha: “Shqipëria ka bërë një progres të admirueshëm në 20 vitet e fundit drejt integrimit euroatlantik duke krijuar nje nivel te larte besueshmerie nderkombtare ne keto marredhenie qe nuk e ka patur më parë. Besoj se ka shumë fytyra të reja politike që janë gati që ta promovojnë këtë axhendë. Për mua nuk ka kuptim pse njerëzit duhet që të shikojnë nga e kaluara në vend që të shohin nga e ardhmja. Ne do t’i analizojmë nga afër rezultatet e këtyre zgjedhjeve”. Ndërkaq, me një lëvizje të fortë, Escobar takoi Ilir Metën, por jo Sali Berishën, kur të dy ishin në një koalicion, duke futur spicat në këtë aleancë.
E në fund, siç u pa, edhe votuesit e hershëm të opozitës, “votuan kundër të shkuarës”. Siç e dimë, për një kohë të gjatë pas 14 majit, Ilir Meta u zhduk nga daljet në publik, për të dalë sërish tani me tezën e një “kryeministri me përkrahje të gjerë”.
Para një kaosi të tillë, po nxirret teza e “ambasadorëve si Monika” që ka bërë ndërhyrje estetike. Në fakt, ka një tjetër Monikë që ka bërë ndërhyrje estetike, e madje po hetohet për këtë nga SPAK. Kështu që gjasat janë të mos e ka pasur kush për Yuri Kim, e cila e larguar, nuk përbën më shënjestër as për militantët radikalë. Por përbën më shumë si një kod komunimi për të treguar se nuk mund të marrin dot “popullin e 2 marsit”.
Ndaj është interesante kjo periudhë, deri në përgatitjen e listave të deputetëve për zgjedhjet e ardhshme se loja nuk bëhet dot hapur, apo me takime normale e diskutime politike. Por vetëm me kode të tilla, pasi janë të tjerë faktorë që e bëjnë jo prioritare fitoren apo fuqinë në zgjedhjet e ardhshme. Pasi e gjithë është e kushtëzuar prej terrorit nga hetimet e SPAK. Ndaj nuk ka as diskutime politike apo lista deputetësh, por vetëm kode e legjenda për ambasadorë që erdhën të shëmtuar e u bënë të bukur. Apo se kanë me ambasadorët? Po Monikën pse e përmendën?!