Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius ka qëndruar të mërkurën në Serbi ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.

Mediat serbe kanë raportuar se gjatë konferencës është krijuar tension kur Vuçiç e ka pyetur ministrin gjerman se në bazë të cilit akt juridik ndërkombëtar Gjermania po e armatos Kosovën.

Pistorius ka deklaruar se Gjermania nuk po e armatos vetëm Kosovën por edhe Serbinë.

“Gjermania po armatos jo vetëm Kosovën, por edhe Serbinë e furnizon me armë për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të secilit shtet. Ne nuk furnizojmë me armë sulmuese, vetëm mbrojtëse. Nga këndvështrimi ynë, ne e njohëm Kosovën. Vendet e tjera nuk e kanë bërë këtë, bëhet fjalë për një numër më të vogël vendesh në botë. Synimi ynë në rajon është paqja dhe stabiliteti, si dhe afrimi i përbashkët me BE-në. Kushtet e fqinjësisë së mirë janë të rëndësishme këtu, me të dyja palët e përfshira, dhe ky është parakushti bazë për stabilitet. Asgjë nuk e ndryshon këtë fakt”, u përgjigj Pistorius.

Vuçiç më pas tha se nuk ka asnjë akt juridik ndërkombëtar që miraton armatosjen e Kosovës.

“Nuk ka përgjigje për dy pyetje. Çështja është se me cilin akt ndërkombëtar mund të armatoset Kosova, sepse ai akt nuk ekziston. Ka akte të shteteve individuale që e kanë njohur Kosovën. Dhe në anën tjetër, sa i përket vetë dialogut, ne jemi të ftuar në dialog sepse e shohim ndryshe natyrën juridike të situatës në Kosovë. Nëse ne jemi vetëm për të verifikuar atë që bën Prishtina, atëherë nuk keni nevojë për ne. Ne kemi qenë gjithmonë të hapur për dialog, kemi 11 vjet që presim që dikush të formojë Ascoacionin e komunave me shumicë serbe, kemi bërë lëshime të shumta dhe Prishtina nuk e ka përmbushur asnjë obligim që e ka pranuar”, tha Vuçiç.