Nga Jakin Marena

Gazmend Bardhi u kthye nga “Mëngjesi i Lutjeve” ku mori pjesë, të cilin e ndoqi nga një hotel online në SHBA, me mendje tjetër. Kishte një ndryshim të theksuar ‘kursi’ këtë radhë Bardhi.

U krijua perceptimi se takimet me kongresmenët e mbi të gjitha me Eskobar, deklaratat që hodhi përmes rrjeteve sociale që nga Amerika për dashuri të përjetshme ndaj SHBA, aleatin që sipas tij shqiptarët kanë fat që e kanë pasur, e kanë e do ta kenë pranë, si dhe mbështetja e fortë ndaj SPAK, kishin ndikuar që Bardhi të hiqte dorë nga jeta e ‘dyfishtë’ politike.

Gjithkush mendoi, madje dhe u shkrua se Bardhi i dha fund dilemës së sjelljes paradite betejë me Berishën dhe për Berishën, ndërsa në darkë në ekranet televizive, deri aty e ka hapin ai, shfaqej i distancuar prej orientimit të liderit historik kundër SHBA-BE-Britanisë dhe SPAK-ut.

Media dhe ai publik i paktë që e ndjek Bardhin ishin përgatitur për deklarata të forta të tij kundër Berishës, në mbështetje të SHBA e SPAK, teksa aludonin se ai mund të ishte zgjedhur në SHBA si një partner i besueshëm nga aleati ynë i madh në radhët e opozitës radikale të Foltores. Madje mendohej se do të shpërshfaqej që nga Rinasi si një luftëtar i paepur dhe për ndryshim kursi, distancim nga Berisha, krijimin e kushteve për bashkimin e të gjitha copave të PD, ose daljen më vete, në krye të një force të re politike të djathtë me vokacion pro-perëndimor.

Por dilema zgjati derisa Bardhi zbriti në Rinas, pa bërë asnjë deklaratë, për t’u futur direkt në vorbullën e politikës së PD të infektuar nga konfliktet, ndarja dhe dhuna politike, vetëm e vetëm për të rritur ‘temperaturën’ e garës mes nivelit të dytë të lidershipit të këtij grupimi politik, të përfshirë në luftën për trashëgiminë e drejtimit të Foltores në periudhën post-Berisha.

Dhe një ditë më vonë Bardhi, në vend që të ndikonte apo të distancohej nga dhuna e deputetëve të Berishës në sallën e Parlamentit siç ia kërkuan, vinte nga Uashingtoni me energji të reja mendohej, bëri atë që e kishte parashikuar shumëkush, por që deri më tani vetë ai e kishte mohuar me vendosmëri, shkoi kokëulur te ‘rrugica e Salës’. Bardhi dhe grupimi i tij më në fund për herë të parë u shkrinë tërësisht me Foltoren, madje mori pjesë dhe në protestën e militantëve të Berishës që kishin ardhur të protestonin jo kundër parlamentit, megjithëse u pozicionuan në hyrje të tij, por për arrestimin e Berishës nga SPAK.

Dhe për t’i bërë ‘majë’ muhabetit, Bardhi gjasme duke ngurruar e kundërshtuar për të ‘thithur’ dhe lutjet e përgjërimet e ithtarëve të Berishës, më në fund iu bashkua turmës për të nisur kortezhin nga Parlamenti tek pallati i Berishës në rrugën “Mustafa Matohiti”, duke përfunduar poshtë dritares së Berishës më në fund dhe degjuar akuzat e liderit të Foltores kundër SHBA e Britanisë që ‘e kanë shpallur kot non grata’, akuzat kundër SPAK si bandë kriminale që e ka arrestuar sipas tij pa asnjë provë 10 vite pas ikjes nga pushteti për të fuqizuar pushtetin e Ramës.

Pikërisht poshtë dritares së Berishës merr fund dhe dilema e Bardhit për orientimin e tij, pro apo kundër SHBA, pro apo kundër SPAK, dhe jeta e dyfishtë politike e bërë deri më tani, paradite me Doktorin dhe pasdite me aleatët tanë të mëdhenj dhe drejtësinë e re.

Me këtë akt, Bardhi tregoi se në SHBA s’ia ka ‘vërshëllyer’ njeri, se qëndrimi për Berishën ‘non grata’ dhe thirrjet nga Uashingtoni që të mos mbeten peng i së kaluarës por të shohin nga e ardhmja, nuk kanë ndryshuar për asnjë moment. Thjeshtë Bardhi rikthehet dhe bashkohet me Berishën, për të realizuar qëllimin e tij të ngushtë, marrjen e një mandati deputeti në zgjedhjet e vitit të ardhshëm dhe kalitjen e durimit deri sa Berisha të shkojë në qeli apo tek i Plotfuqishmi, për të shpresuar se do të marrë drejtimin e këtij grupimi politik. Megjithëse ka konkurrentë.

Fundja kjo rrugë i ka mbetur, pasi SHBA se përkrahu në këtë ‘aliazhin’ e krijuar me Berishën, tek Basha nuk kthehet më se e ka trashur zullumin me të, ‘këllqe’ për të dalë më vete e themeluar një parti të re me grupimin e tij nuk ka, pasi nuk e qas njeri në bazë por vetëm moderatorët në ekrane, ndaj ‘laj thaj’ Berisha dhe Foltorja është mundësia e vetme për një mandat deputeti në zgjedhjet e vitit 2025. Ndaj bën si i egër, heq xhaketën dhe tenton ta flakë fluturimthi mbi karrige, shtyn dhe krijon kontakt të dhunshëm fizik me gardistët, e gjëra të këtij lloji. T’i hyjë në qejf Berishës me një fjalë, për një vend prioritar në listën e kandidatëve në zgjedhjet e 2025.

E parë në planin e përgjithshëm, dilemat e Bardhit dhe mbi të gjitha vizita e tij në SHBA shënoi vetëm një ‘sukses’, atë të bërjes “çift” me Berishën. Secili për hallin e tij, Berisha fiton ca deputetë më tepër për hallin e tij me drejtësinë e re, për t’i përdorur si mbrojtje për akuzat e shumta që ka në kurriz, kurse Bardhi fiton një ‘copë’ mandati deputeti, pasi ndryshe mbetet jashtë Kuvendit e humbet protagonizmin politik. Shpreson dhe për lidershipin e Foltores.

Në funksion të këtyre përfitimeve, është dhe ‘beteja’ që po zhvillojnë kundër mazhorancës për Reformën Zgjedhore, jo duke debatuar dhe këmbëngulur për të përfshirë platformën e Foltores për mënyrën se si mund të bëhen më të mira zgjedhjet, por duke e bllokuar këtë Komision, përmes dhunës dhe shkuljes së mikrofonëve sa herë që mblidhet. Duke përdorur pretekstin se duan Bylykbashin dhe jo Alibeajn si bashkëkryetar të Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Deri më tani s’kanë paraqitur asnjë projekt se si e duan Reformën Zgjedhore përkundër PD zyrtare që kërkon lista të hapura mbi të gjitha. Bllokimi që po i bëjnë komisionit, Bardhi dhe mbështetësit e Berishës, na bën të kuptojmë se njerëzit më të painteresuar për ndryshimin e Kodit Zgjedhor për listat e hapura, janë Berisha dhe Bardhi.

Ky i fundit vetëm me renditje në ‘majën’ e listës zgjedhore në një qark të caktuar mund të dalë deputet, pasi me listë të hapur, Bardhi nuk merr kokërr vote. Eshtë politikan i prodhuar në studiot televizive e jo në terren ku mblidhet votat, ndaj kundërshton reformën zgjedhore, ku me shumë gjasa s’do ketë ndryshime drastike në Kodin Zgjedhor. Pra as për listat e hapura. Dhe ‘çiftimi’ Bardhi-Berisha në kupolën e Foltores, me Flamur Nokën nëpër këmbë mund të quhet për momentin një ‘sukses’, ndonëse Bardhi është kapur pas një të mbyturi si Berisha, duke qëndruar ashtu bashkë me të në fund të ‘pellgut’.

Por si do veprohet për më tej? Ja u zgjidh dilema se ku do shkojë Bardhi, iku në gjirin e Berishës, por a u zgjidh problemi tek Foltorja, dhe më gjërë te opozita, për të pretenduar atë që kërkojnë për 11 vite me radhë, rrëzimin e kësaj mazhorance dhe ardhjen në pushtet, siç pretendojnë?

Për hir të së vërtetës jo vetëm që nuk ka zgjidhje brenda Foltores, lideri i së cilës vijon të jetë ‘non grata’ në SHBA, Britani dhe trajtohet si i tillë dhe nga vendet anëtare të BE dhe të rajonit dhe mbi të gjitha Berisha është nën arrest shtëpiak e nuk përjashtohet mundësia që të përfundojë dhe në qeli teksa shohim akuzat e shumta që ka në kurriz dhe dosjet nën hetim, por dhe sikur të mblidhen të gjitha copat e PD dhe të opozitës nuk afrohen të bëhen shumicë.

Një gjë duhet të jetë e qartë, nuk mashtrohen më as demokratët, jo më shqiptarët, që të ndjekin një ‘non grata’ funksional dhe në armiqësi me aleatët tanë të mëdhenj, një lider në arrest shtëpiak për korrupsion madhor që nuk kalon ditë pa sulmuar prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm që mbështeten fort nga aleatët tanë të mëdhenj. Pra nuk ndjekin më të shkuarën e nuk i bashkohen opozitës. Është një opozitë në ‘karantinë’ e cila për më tepër sillet e sillet dhe kthehet te ‘arkitekti’ i izolimit të madh të saj, në vend dhe në arenën ndërkombëtare, Sali Berisha. Siç bëri Bardhi dhe grupi i tij që u shkrinë më në fund me Foltoren.

Dhe për të qënë më konkretë në arsyetimin tonë, pyesim: ja u bënë ‘çift” Bardhi e Berisha, si i bëhet hallit për t’u regjistruar në zgjedhjet e vitit 2025, pasi ato janë në prag. Për një opozitë normale fushata fillon që në momentin që del rezultati i zgjedhjeve parlamentare, jo më një vit larg, ku ende nuk duket se vjen ‘era’ zgjedhje në godinën buzë Lanës, seli që është ‘transferuar’ tashmë në ‘rrugicën e Salës’ tek rruga ‘Mustafa Matohiti”. Deri më tani, gjithë beteja e grupimit më të madh opozitar është përqëndruar në mbrojtjen e Berishës nga burgu dhe vetëm deklarata për përmbysje regjimi kemi dëgjuar, ndonëse demokratët tashmë vijojnë braktisjen e filluar që me zgjedhjet vendore të 14 majit të vitit të kaluar!

Sepse grupimi i Berishës ka një problem fare në ‘vogël’, nuk ka as logo dhe as vulë, është ‘në të zezë’. Nuk mund të dërgojë asnjë shkresë me siglën e PD dhe as të kurkujt si parti, si grupim parlamentar s’të njeh njeri, pasi deputetët aq më tepër me këtë sistem, janë produkt i një partie. Larg qoftë nëse nesër Presidenti dekreton zgjedhjet e parakohëshme, si do të hyjë ‘çifti’ drejtues i Foltores Bardhi-Berisha në zgjedhje, si do regjistrohet në KQZ kur kreu i PD ligjërisht është Basha. Të paktën deri më 24 shkurt kur të vendosë Apeli në mënyrë përfundimtare për vulën e logon e PD se kujt i takon. Ku parë dhe në reagimin e fortë të Berishës e mbështetësve të tij kundër drejtësisë, është shumë e kuptueshme se e parandjejnë se do të jetë Basha poseduesi i tyre. Qofshim të gabuar por kjo lexohet nga deklaratat e lidershipit të Foltores.

Parti të re politike, me logo dhe vulë të re nuk do të krijojë grupimi i Foltores. E ka deklaruar prerë Berisha dhe është mbyllur kjo punë. Bardhi s’kishte këllqe dhe u ‘strehua’ tek Berisha, i cili për hir të së vërtetës nuk do parti ligjore politike, por thjeshtë një grupim si Foltorja që ta menaxhojë deri në detaje ai dhe familja e tij, për ta përdorur kundër drejtësisë dhe aleatëve tanë për hallin e tij personal që ka me këtë drejtësi. Tjetër se me çfarë termash e mbron vendimin e tij Berisha. Pra dilema më e madhe pas ‘bashkimit’ Bardhi-Berisha dhe në tubimet 30-40 vetëshe poshtë dritares së Berishës është se si do të regjistrohen në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, me çfarë sigle dhe me çfarë vule do të nënshkruhen listat e kandidatëve për deputetë në KQZ.

Me sa duket zgjidhja e vetme për të regjistruar kandidatët për deputetë të grupimit të tij për Berishën ka mbetur si gjithnjë Partia e Lirisë së udhëhequr nga Ilir Meta. I cili po qëndron në heshtje dhe ende nuk e ka ndarë mendjen për ta provuar dhe njëherë me Berishën. Ose po ‘mpreh thikat’ për t’i hequr ‘skalpin’ Berishës dhe Foltores. Sikurse ia hoqi dhe në zgjedhjet e 14 majit të vitit të kaluar në zgjedhjet për pushtetin vendor. Ku në kuadër të koalicionit “Bashkë Fitojmë” i mori Berishës e grupimit të tij gjysmën e anëtarëve të këshillave bashkiakë. Të cilët tashmë operojnë më vete, marrin direktiva nga Meta dhe ndjekin vetëm udhëzimet dhe qëndrimet e tij. Eshtë mjeshtër Meta në këtë fushë.

Nuk do shumë mend për të imagjinuar regjistrimin e Foltores nën siglën e PL, duke gjetur ‘strehë’ te Meta në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, përbërjen e listave të kandidatëve për deputetë të këtij bashkimi, me çfarëdo emri qoftë, ndarja 50 me 50 mes Metës dhe Berishës i këtyre listave prioritare që mund të prodhojnë deputetë për parlamentin e ardhshëm. Eshtë hera e tretë që Meta ia bën këtë ‘nder’ Berishës, i afron suglën e partisë së tij për kandidatët e Foltores, dhe kostoja për Berishën do të jetë akoma më e madhe.

Prandaj themi që bashkimi Bardhi-Berisha nuk ndryshoi asgjë, një lëvizje rrethore, tashmë jo tek selia buzë Lanës por tek dritarja e Salës, që nuk krijon tronditje. Përkundrazi, trondit vetëm këtë grupim politik, që në fund të herës as një letër-rekomande për të ndjekur punimet e Kuvendit për ndonjë ithtar të tyre nuk mund të lëshojë pa ‘lejen’ e Metës. Përkundrazi, e zhyti më tej Foltoren, që me apo pa Bardhin mbetet sërish e shkuara. Aspak e ardhmja.