Kreu i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci publikoi foto nga rikonstruksioni që po i nënshtrohet kinemaja e qytetit veriperëndimor, ndërsa i përgjigjet dhe akuzave të Këshilltarëve të “Rithemelimit”.

Sipas Becit, ngjyra me të cilën është lyer kinemaja është një “pastel” klasik, dhe sulmi vjen si pasojë e dëshpërimit nga humbja e thellë në zgjedhjet e vitit 2023.

“Ngjyra e re e kinemasë quhet ‘pastel’, një ngjyrë klasike, moderne dhe e dashur për syrin, ‘pastel’ është një nga ngjyrat më harmonike që ekzistojnë”, shkruan Beci.

“Të dëshpëruar nga humbja e thellë në Shkodër, këshilltarët e nongratës sulmojnë çdo investim të ri nga bashkia e çliruar e Shkodrës, madje merren edhe me ngjyrat, ku një ngjyrë klasike si “pastel”, këshilltarët me bordero tek foltorja e quajnë ‘ngjyrë rilindase’”, vijon Beci.

“Kinemaja e Shkodrës po i nënshtrohet një rikonstruksioni total, brenda dhe jashtë, për t’i kthyer kinemasë dinjitetin e humbur dhe nuk do të jetë më kurrë klub dhe vend bixhozi”, përfundon Beci.