Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut ka tashmë një godinë të re dhe është gati të presë pacientët. Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu vizituan sot godinën e rindërtuar.
“Këtu jemi në godinën tërësisht të re të qendrës kombëtare të transfuzionit të gjakut, një investim që u realizua nga buxheti i shtetit gjatë vitit 2023. Ishte një investim total, jo vetëm në infrastrukture, por dhe në pajisje dhe në ngritjen e kapacitetit të stafit që punojnë në këtë qendër. Janë 60 punonjës që punonjës në këtë infrastrukturë dhe që shërbejnë për të gjithë ata dhurues që paraqiten këtu dhe dhurojnë gjak”, shpjegoi Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu.
Standardet europiane në dhurim, testim, përpunim, ruajtje dhe shpërndarje të gjakut, bashkëpunimi teknik me qendrën homologe franceze, si edhe stafi i kualifikuar dhe i mirëpaguar, kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen me 50% të numrit të dhuruesve vullnetarë të gjakut.
“Ne kemi rritje 50% të dhurimeve vullnetare të mbledhura nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut dhe një rritje rreth 20% e dhurimeve vullnetare në tërësi krahasuar me një vit më parë. Ka mjaft sensibilizim dhe më ndryshe është përgjigja e njerëzve ndaj dhurimit vullnetar të gjakut”, u shpreh Drejtuesja e QKTGJ Irena Qendro.
Me transformimin e realizuar Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut është shndërruar në një operator ekselence i Shërbimit Publik Shëndetësor.