Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 në Kosovë mund të bëjnë bashkë Dua Lipën dhe Rita Orën. Në ceremoninë hapesë mund të performojnë dy yjet botërore të muzikës dhe këtë lajm e ka bërë të ditur zëdhënësi për media i Komitetit Olimpik të Kosovës Kushtrim Krasniqi, në Konferencën ndërkombëtare “Kufijtë e Lirisë së Fjalës”.
Sipas tij në këto lojëra nuk do ketë vetëm sport, por edhe kulturë dhe art. Madje ai është duke punuar për të siguruar një performancë të të dyjave këngëtarëve në ceremoninë hyrëse.

“Kur jemi tek investimet, dua të ndalem këtu. Qeveria, e cila ka qenë partner i fuqishëm këtu dhe pa mbështetjen e tyre do të ishte i pamundur të fitohet një organizim i tillë, ka premtuar dhe ka garantuar që do të investojë mbi 250 milionë euro në infrastrukturën sportive. Do të ndërtohet stadiumi nacional, i shumëpërfolur deri më tani, por që tani ka një garanci që duhet patjetër të ndërtohet të paktën deri në vitin 2029 sepse në atë stadium përveç që do të organizohen ndeshjet e futbollit, parashihet që të zhvillohet edhe ceremonia hapëse dhe mbyllëse e Lojërave Mesdhetare, e që pritet t’i ketë 30 mijë tifozë të pranishëm në ceremonisë hapëse. Pra, këtu nuk do të ketë vetëm sport, do të ketë edhe kulturë dhe art dhe njëra prej mundësive është që në ceremoninë hapëse të përformojë njëra ose dy yjet tanë të muzikës siç janë Rita Ora dhe Dua Lipa. Pra është edhe kjo mundësi që t’i kemi të pranishme që të joshim sa më shumë turistë në ceremoninë hapëse dhe jo vetëm”, tha Krasniqi.