Ministri i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, njëkohësisht Sekretar i Përgjithshëm i kësaj force politike, Krenar Lloga ka reaguar kundër qëndrimit politik të Arben Taravarit.
Ky i fundit deklaroi se ASH do të futet në koalicion me opozitën e VMRO-DPMNE për zgjedhjet parlamentare të 8 majit.
Deklaratë e cila ka nxitur përplasje në radhët e Aleancës për Shqiptarët.
Lloga në profilin e tij në Facebook shkruan se “ASH duhet të garojë e vetme në zgjedhje”, duke iu përmbajtur kështu vendimit unanim të Kryesisë së partisë.
Statusi i plotë
Duke u nisur nga interesimi mediatik dhe i anëtresisë së gjërë, dua tju bëj me dije se Aleanca për Shqiptarët nuk ka shqyrtuar asnjë kërkesë në organet e saj partiake, Këshillin Drejtues, Kryesinë Qendrore dhe Kuvendin Qendror në lidhje me koalicionet parazgjedhore.
Në fuqi ka një vendim të Kryesisë Qëndrore, i cili është votuar UNANIMISHT për të shkuar të vetëm në zgjedhje.
I bëj thirrje Kuvendit të ASH-së që të përmbaj propozimin unanim të Kryesisë i cili është: ALEANCA PËR SHQIPTARËT TË DALË E VETME NË ZGJEDHJET PARLAMENTARE 2024!