Nga Ardit Rada
Sali Berisha po përjeton momentet më të paimagjinueshme për të pikërisht në fundin e tij. I ndodhur në arrest shtëpie ai po përpiqet që publikisht të tregojë entuziazëm për militantët që i mblidhen poshtë shtëpisë. Por e parë nga sytë e tij më mirë se një dron, prezenca e dëshpëron më shumë se çdo gjë. Me gjasë Noka e Vokshi janë në garë çdo ditë për të siguruar sa më shumë njerëz te rruga ‘Mustafa Matohiti’ në 17:30, rrugë kjo që mban emrin e një dëshmori komunist, ndoshta më pak i devotshëm se ish-sekretari i Partisë që jeton aty.
Nën petkun e “Qytetarit dixhital” që mjeshtërisht e ngriti pasi lotoi tek selia e vjetër për humbjen e pushtetit, Sali Berisha ka thurur shumë mënxyra. S’la ndodhur kurrë që në 11 vite të denoncimeve të tij, të faktohet qoftë edhe një rast i vetë. Nga ai vetë, apo rastësia jo e jo. Por as nga drejtësia e re që demokratët e votuan me te dyja duart në zgrip të afateve.
Ka patur raste kur Berisha binte brenda me ‘Qytetarin Dixhital’. Fjala bie kur raportonte se në fshatin Qivrym ka parcela me kanabis të Saje Qorrit. Saliu i shkëputur nga realiteti dhe nën emocionet e ‘zbulimit’ të madh harronte se komunat nuk ekzistonin më sepse reforma territoriale kishte një vit që e kishte zhdukur si term. E leje më pastaj ta lexonte me vëmendje emrin e shpikur të komunës Qivrym…
Po e sjell shembull “Qytetarin Dixhital” sepse edhe nga arresti i shtëpisë nuk harroi “t’i referohet” pak ditë më parë. Publikoi një video të 6 Janarit, data e së cilët duket mbi video, dhe thoshtë se Policia po prish kamerat e atentatit ndaj Ardjan Gjeloshit. Edhe pse ky i fundit ishte përballur me një ngjarje kriminale jo në 6 janar, por në 10 shkurt. Në thelb Saliu kishte marrë pamjet e aksionit të Policisë që prej një viti po shkul kamerat e krimit nëpër lagjet e vendit dhe ia vishte në gojë ‘Qytetarit Dixhital’.
Sot që ndodhet në arrest shtëpie m’u kujtuan të gjitha makinacionet që ky personazh i së shkuarës ka përdorur për të njollosur jo vetëm politikën, por për ta paraqitur Shqipërinë në tërësi si një vend të pabanueshëm e pa rend. Duke marrë stafetën kështu si i vetmi kontribues dhe shkaktar për çdo moment shpopullimi, si në qeveri ashtu edhe në opozitë.
Mes dhjetra rasteve, në 2020 deklaronte se një kriminel kishte dalë nga burgu pasi përdori makinacione për të ndërruar trupën gjykuese dhe pagoi 150 mijë euro. Është lajm i datës 6 shkurt 2020 për këdo që do të dije emrin e të dënuarit. Unë s’po e them sepse janë fjalët e Saliut kundër një ngjarje që s’ka ndodhur. Por vetë ai sot s’po lë dy gurë bashkë për të ndërruar gjyqtarët që kanë në dorë korrupsionin për të cilin akuzohet me përfitues familjen e tij.
Me po të njëtin ritëm, teksa bëhej kryetar Rithemelimi, ai akuzonte se Lefter Koka dhe Saimir Tahiri dilnin nga burgu natën dhe shkonin në shtëpi e ktheheshin në qeli në mëngjes. Ose kur t’i lipsej ‘Qytetarit Dixhital’ dhe Saliut për postimin e radhës.
Imagjinoni sot që Antony Blinken viziton Tiranën dhe e shoqëron Yuri Kim në këtë vizitë. Kur i ndodhte Kokës e Tahirit të shkonin në disko, ç’i mungon Saliut të ketë marrë malet që mbrëmë?! Kështu do thoshte ‘qytetari dixhital’, që është ngujuar bashkë me “Baba Karlon” te rruga ‘Mustafa Matohiti’.
Gjithmonë nëse do të ruante standardin për çdo të dënuar e të paraburgosur lekë ose me pushtet.
Megjithëse Saliu i ka të dyja…