Nga Jakin Marena

Tirana praktikisht sot është ‘kryeqendra’ e gjithë botës. Nuk po hamendësojmë aspak, por është vetë formati i zhvillimit të samitit të përbashkët mes Ukrainës dhe vendeve të Evropës Juglindore, ai që i jep Tiranës dhe në tërësi Shqipërisë e shqiptarëve kudo që ndodhen shkëlqimin e duhur përpara tërë botës. U jep dhe krenari.

E themi këtë sepse Tirana është stacioni shumë i sigurtë ku ka mbërritur presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, i cili për shkak të rezistencës heroike në udhëheqje të popullit të tij heroik në përballimin e agresionit rus të Putin, prej mbi dy vitesh është në qendër të vëmendjes botërore dhe i preferuari i të gjitha mediave në çdo skaj të botës.

Praktikisht Zelensky është lideri më klikuar në planet, dhe çdo lëvizje e tij apo deklaratë e tij, gjen një hapësirë të jashtëzakonshme në të gjitha mediat botërore dhe në politikën globale. Pasi Ukraina e Zelensky janë në mesin e një përballje të agresorit më të madh në historinë aktuale, Rusisë së Putin dhe në anën tjetër të botës demokratike, e cila është vënë në skalionin e ndihmës së gjithanshme ndaj Kievit, që nga ajo ushtarake dhe në mjete të tjera e deri në atë politike, për të shpëtuar demokracinë dhe ekzistencën e kombeve të lira. Pra Ukraina ndan dy botë, dhe vendos ekuilibrat mes dy botëve, asaj demokratike dhe asaj jodemokratike.

Për pasojë dhe Tirana dhe Shqipëria për dy ditë me radhë, sidomos të mërkurën ka është kryefjala në të gjitha mediat dhe politikën botërore, duke thënë fjalën e saj në favor të paqes, sigurisë e demokracisë, tashmë si një lojtare reale, efikase dhe partnere e besuar në rajon e më gjërë e aleatëve tanë të mëdhenj, përcaktues në skenën politike botërore, të udhëhequra nga SHBA.

Duke qënë se këto vitet e fundit, Tirana ka qënë dhe qendër e samiteve të tjera të zhvilluara mes BE dhe Ballkanit Perëndimor, apo samitit të rajonit, ia ka marrë ‘dorën’ kryeministri Rama dhe Tirana zyrtare këtyre aktiviteteve të përmasave rajonale dhe globale, në krye të herës rezaton siguri, stabilitet dhe kredibilitet absolut të vendit tonë, i cili pavarësisht përmasave po tregon qartë se është një lojtare dhe partnere e besuar rajonale e më gjërë.

Njëherësh tregon hapat e mëdhenj që ka bërë diplomacia shqiptare në skenën politike botërore, e treguar jo vetëm përmes organizimit të samiteve të tilla përmasave të mëdha, por dhe me qëndrimin e saj në kryesimin e radhës së OSBE apo në presidencën e përkohëshme të Këshillit të Sigurimit të OKB, ku ka pasur fatin dhe kompetencën për të drejtuar seancat nga më të vështirat, që nga lufta e dytë botërore, siç është rasti i diskutimit të agresionit rus në Ukrainë, thirrjes së presidentit Zelenski për të thënë fjalën e vet në Këshillin e Sigurimit, dhe debatin e kryeministrit Rama me përfaqësuesin rus në OKB.

Mbi të gjitha këto janë dhe ‘vitrina’ e duhur për prezantimin e Shqipërisë në mënyrën më dinjitoze dhe kompetente në sytë e miliona e miliona njerëzve në të gjithë botën, si një partner serioz e lojtar i fortë rajonal, për të thënë fjalën e vet në funksion të paqes, sigurisë e demokracisë në planet.

Nuk është pak kjo, pasi sytë dhe vëmendja e të gjithë botës është drejtuar në Tiranë, me një vëmendje të shtuar në maksimum për shkak të vizitës së presidentit ukrainas Zelensky, i cili nuk lë rast pa përmendur kryeministrin Edi Rama si një mik të palëkundur të Ukrainës, e Shqipërinë si një mbështetëse të pa ekuivok të luftës së popullit të Ukrainës kundër agresionit të Putin.

Dhe një vëmendje e tillë merret pikërisht në prag të ngjarjeve të mëdha për vetë Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit sa më të shpejtë në BE, në planin makro kjo, dhe në prag të hapjes së sezonit turistik në planin mikro, teksa rezaton në sytë e gjithë botës se përpos bukrive natyrore, det dhe mal, përpos mikpritjes që vetëm shqiptarët dinë ta bëjnë, përpos traditës dhe shërbimit traditcional që Shqipëria e shqiptarët ofrojnë me shumicë, ofron dhe siguri, stabilitet, paqe e integritet.

Jo pa qëllim marrin pjesë liderët e shteteve të gati të gjithë vendeve të Evropës Juglindore, merr pjesë dhe komisioneri për Zgjerimin në BE Oliver Varhelyi, krerët e shteteve të Kroacisë, Moldavisë, Serbisë, Bosnjes, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Moldavisë, në këtë samit të përbashkët me Ukrainën që përfaqësohet nga Presidenti Zelensky. Ndërsa Erdogan përshëndet përmes një video-mesazhi nga Turqia, për shkak të axhendës së tij të ngjeshur, një mbështetje kjo e Ankarasë për këtë samit dhe për vetë organizimin në mbështetje të Kievit përballë Rusisë.

Pra marrin pjesë krerët e shteteve, për ato vende që janë republika parlamentare merr pjesë kryeministri, ndërkohë që për vendet që janë republika presidenciale apo një version të përzier, marrin pjesë në përfaqësim presidentët respektivë.

Të gjithë këta liderë që përfaqësojnë vendet e Evropës Juglindore, përfshirë në radhë të parë Shqipërinë, këtë samit dy ditor në Tiranë dhe mbi të gjitha seancën e përbashkët të mërkurën me presidentin ukrainas Zelensky, është e kuptueshme që do ta përdorin dhe si një ‘vitrinë’ për promovimin në sytë e të gjithë planetit të vendeve respektive që drejtojnë. Por dhe për të dhënë mbështetjen publike ndaj Kievit.

Ne jemi më të interesuar se si e kanë parë vëllezërit tanë përtej kufirit, klasa politike në qeverisjen e Kosovës dhe fqinjët tanë këtë samit të përbashkët Ukrainë-Evropa Juglinore, parë dhe në nivelin e përfaqësimit në samitin në Tiranë. Pasi bëhet fjalë për mbështetje konkrete për Ukrainën dhe kjo nënkupton përfaqësim ekzekutiv dhe angazhime ekzekutive, pasi bëhet fjalë për ndihmë që nga armatimet dhe deri te ajo ekonomike për një popull që është në luftë për të mbrojtur ekzistencën e tij. Por dhe në mbrojtjen e demokracisë evropiane e më gjërë.

Greqia përfaqësohet me një nivel të ulët politik, pasi kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis vijon të qëndrojë në inatin dhe adhnimin e tij për Fredi Bejlerin, një përfaqësues lokal nga Progonati i Tepelenës por që bën si minoritar me gjak 24 karat grek, dhe me një histori të trazuar të mbushur plot me akuza për vrasje dhe veprimtari antikombëtare, i dënuar madje në vitin 2023 pa bërë asnjë ditë burg sepse qëndroi në arrati, dhe fatkeqësisht i kandiduar nga koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë’ i kryesuar nga Sali Berisha, për kryetar i bashkisë së Himarës.

Rezultati i zgjedhjeve të 14 majit të vitit të kaluar e shpalli fitues me pak vota, por Bejleri dy ditë para zgjedhjeve, në kushtet e flagrancës u arrestua me akuzën se po blinte vota, dhe tashmë gjendet nën arrest për krim zgjedhor. Ende nuk ka një vendim përfundimtar, ndërkohë që nuk ka bërë as betimin para këshillit bashkiak të Himarës për kryetar i bashkisë, pasi nuk e lejon ligji.

Mitsotakis nuk e ka për herë të parë që adhnimin për Bejlerin e shfaq në formën e anashkalimit të ftesave për takime të kryeministrit të Shqipërisë kur i organizon vetë këto takime, por ‘shkëlqen’ fort dhe me mungesën në samitet që organizon Shqipëria dhe Rama, duke vënë si kusht sërish që Bejleri të dalë nga burgu dhe të betohet si kryetar bashkie, me vendim qeverie dhe jo me vendim gjykatë. Anipse Rama ia ka bërë të qartë se nuk ndërhyn tek drejtësia e re, pasi është kusht nga vetë SHBA, BE pjesë e kësaj të dytës është dhe vetë Greqia. Anipse partnerët tanë të mëdhenj ndërkombëtarë ia kanë bërë të qartë Athinës zyrtare që drejtësia shqiptare duhet lënë e qetë të bëjë punën e saj, sikurse po e bën, dhe s’ka lidhje politika këtu. Aq më tepër fqinjët.

Për të mos u zgjatur më shumë në këtë pikë, ajo që mund të themi është se Mitsotakisit në vërtetë ia kuptojmë inati ndaj Shqipërisë dhe nuk ka asgjë të re këtu, pasi i presim të gjitha qëndrimet e tij, që nga bojkoti i takimeve e deri te përpjekja për të vënë veton për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Por ajo që nuk e kuptojmë fare është se, përse kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pra kreu i shqiptarëve të Kosovës, nuk vjen në Tiranë. As për këtë samit të rëndësishëm për të treguar se është krahpërkrah me Shqipërinë, për të treguar se u qëndron me vepra deklaratave në mbështetje të Ukrainës përballë rrezikut rus. Madje në samitin e të enjtes me liderët e Evropës Lindore ku merr pjesë dhe një kryeministër tjetër shqiptar, ai i Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, do të diskutohet vetëm për marrëdhëniet mes vendeve, rritjen dhe zhvillimin ekonomik, Albin Kosova sërish do të mungojë, pasi presidentja Vjosa Osmani ishte vetëm për samitin e përbashkët me Zelenskyn.

Fundja dhe për imazhin e vet dhe të Kosovës, pasi Albin Kurti mund ta vendoste në qendër të vëmendjes botërore me prezencën e tij në Tiranë. Ka nevojë për mbështetje dhe vetë Kosova. Ta përdorte si një mundësi për të thithur sa më shumë mbështetje për zgjerimin e njohjeve, mund ta përdorte dhe si një vitrinë për të thënë se nuk është aq i padëshiruar siç duket, teksa deri më tani ka ngritur një ‘sagë’ konfliktesh me aleatët e mëdhenj, SHBA, BE dhe Britania, duke e vënë Kosovën nën sanksionet e BE, për shkak të strategjisë së tij të moskonsultimit me Uashingtonin, Brukselin e Londrën për të gjitha veprimet që ndërmerr si dhe për shkak të mos-firmosjes së marrëveshjes së Ohrit me Serbinë. Duke e luajtur ‘tangon’ dyshe me Vuçiçin për një grusht vota.

Ku ka më mirë që të përballet ‘sy për sy’ me shkaktarin kryesor të përplasjeve të Serbisë me Kosovën në veri të Kosovës, presidentin serb Aleksandër Vuçiç, pikërisht në një samit të përbashkët mes Ukrainës dhe Evropës Juglindore, ku do u diskutua dhe u vendos mbështetja për Kievin përballë agresionit rus. Të vendoste firmën e tij në emër të Kosovës në deklaratën përfundimtare të Samitit. Të shfrytëzonte dhe prezencën e Zelenskyt për të bërë promo për Kosovën në të gjitha mediat e planetit dhe për të gjitha kryeqendrat e botës. Aq më tepër që samiti zhvillohet në Tiranë, kryeqendrën e shtetit amë, dhe për fatin e shqiptarëve, të kthyer prej shumë kohësh në një qendër e rajonit, si partneri më i besuar i aleatëve tanë të mëdhenj, duke rrezatuar paqe dhe siguri për rajonin e trazuar të Ballkanit.

Edhe Kurti me sa duket është adhnuar e ka inat jo vetëm me Ramën por me të gjithë shqiptarët me sa duket, pasi ky Samit del përtej kontureve të një kryeministri, u bën nder shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë rajonin. Kurti mund ta tregonte me ardhjen e tij, se është pjesë e këtij ‘formacioni’ paqeje, sigurie dhe integriteti të të gjithë shqiptarëve në tërë hapësirën e Ballkanit.

Por jo. Kurti vijon në inatin dhe këmbënguljen e tij për të qënë i distancuar nga Tirana zyrtare e kreu i qeverisë së Shqipërisë Edi Rama. Pavarësisht deklaratave. Dhe në vend që të lëvizte drejt Tiranës, Albini fluturon për në Londër, duke marrë pjesë në një takim të zhvilluar nga BERZH për ekonominë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Nuk themi që të mos shkonte, madje dhe të debatonte me kryeministrën Brnabiç, e cila për hir të së vërtetës është nën hyqmin e Vuçiç. Por jo të mos vinte në Tiranë e ta shfrytëzonte këtë samit në favor të Kosovës. Fundja të ‘trimërohej’ e të përballej në Tiranë në sytë e gjithë botës me vetë ‘origjinalin’, Presidentin serb Aleksandër Vuçiç jo ‘kopjen’. Mundësinë e kishte. Jo se është pak pjesëmarrja e presidentes Vjosa Osmani në ditën e parë, praktikisht sikurse po e tregon koha është politikanja më e ftilluar në Kosovë në krahun e mazhorancës në pushtet që deklarohet se ekzistenca e Kosovës varet vetëm nga aleanca me SHBA, BE e Britaninë. Por prezenca e Kurtit në samitin e Tiranës do t’i jepte tjetër dimension Kosovës.

Se ajo e bekuar konferencë e BERZH dy ditë mund të ketë zgjatur maksimumi, duke i lënë kohën e mjaftueshme Kurtit për të mbërritur në Tiranë. Njëherësh me Zelensky-n. Qoftë dhe për t’i dhënë një ‘dorë’ kryeministrit të shtetit amë me prezencën e tij, për t’i paraqitur shqiptarët jo vetëm në anën e duhur por dhe të bashkuar në anën e duhur, përballë agresionit rus në Ukrainë dhe në krah të aleatëve tanë të mëdhenj. Jo vetëm me fjalë por dhe me prezencë e vepra.

Albini, ndoshta i frustuar nga fakti se nuk ka ‘kostumin’ e duhur për të qënë lideri i të gjithë shqiptarëve, është përpjekur por ka dështuar me shumë sukses në këtë drejtim jo për mugesë egoje por për mungesë këllqesh, zgjodhi që në vend të fluturimit për në Tiranë për të marrë pjesë në këtë samit të rëndësishëm dhe për vetë Kosovën, ‘fluturoi’ për në Oslo të Norvegjisë me sa duket. Ka bashkëshorten norvegjeze dhe që punon dhe jeton atje, e Kurti e ndan jetën mes Kosovës dhe Norvegjisë.

Pra e thënë me shqeto dhe sipas zakonisht shqiptar, Albin Kurti në vend që të merrte pjesë në samitin e Tiranës mes Ukrainës dhe vendeve të Evropës Juglindore për interesin e Kosovës që qeveris prej vitesh por që e ka dërguar nën sanksionet e BE, zgjodhi interesin personal, shkoi në ‘fshatin e gruas’. Dhe ky është me të vërtetë një kiamet i madh për Kurtin vetë si politikan por mbi të gjitha për vetë Kosovën, duke pasur parasysh se konsolidon qëndrimin e BE për të mos hequr sanksionet, apo e lë të ‘palëvizur’ qëndrimin e qeverisë amerikane se Prishtina zyrtare nuk po e konsideron më SHBA-në si një vend partner.

Sa për opozitën në Shqipëri, Sali Berisha, kreu i grupimit më të madh opozitar në vend, Foltorja, po vazhdon përgatitjet për fjalimin e radhës përballë 30-40 pjesëmarrësve poshtë ballkonit të pallatit të tij, andej nga pasditja. Ku do të sulmojë për hallin e tij personal dhe të familjes së tij drejtësinë e re dhe aleatët tanë, vaçanërisht SHBA-të që e kanë shpallur prej dy vitesh ‘non grata’ familjarisht. Ka hallin e tij ai, s’ka asnjë lidhje me samitet që organizaton kryeministri Edi Rama, i cilësuar dhe nga sekretari amerikan i shtetit Blinken, ai që firmosi Berishën ‘non grata’ kujtojmë, një udhëheqës i shkëlqyer dhe kryeministër shumë i mirë.

Berisha vijon i shkëputur ngë realiteti, duke jetuar në realitetin e tij paralel dhe duke e akuzuar Ramën se ka vendosur regjimin në Shqipëri. Anipse Tirana nën drejtimin e Ramës është kthyer në një partner serioz dhe një lojtar i fortë rajonal në funksion të paqes, demokracisë, sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Berisha ka ‘kutin’ e tij, flet për realitetin e tij, dhe asnjë çudi nuk do të jetë që dhe sot nga ora 18.00 e në vazhdim të dalë në mitingun e “rrugicës’ dhe të thërrasë ‘Ezanin’ si përnatë. Pa kursyer ndoshta dhe pjesëmarrësit në këtë Samit në Tiranë. Ndoshta do vijojë shumë gjatë të qëndrojë në këtë ‘linjë’, pasi siç duken bathët do qëndrojë sëpaku aq kohë sa ka qëndruar në ‘latencë’ zbardhja e vrasjeve shtetërore nga Garda e Republikës e 4 demonstruesve të opozitës më 21 janar 2011. Koha do ta vertetojë këtë.

Ajo që mbetet është se shqiptarët, në të dyja anët e kufirit, nuk dinë të gëzojnë jo më të përfitojnë për t’i përdorur në favorin e tyre, as nga arritjet e tyre politike e gjeopolitike në rajon dhe përballë syve të të gjithë planetit, siç është rasti i samitit Ukrainë-Evropa Lindore që u zhvillua në Tiranë. Me pjesëmarrjen dhe të presidentit Zelensky. Rrimë të adhnuar e të inatosur me njëri tjetrin edhe në gëzim e sukses. Nuk na qesh fytyra as nuk rrezatojmë gëzim. Si gjithnjë. Jemi bër ‘barcaletë’.