Afro 3 muaj më parë, në burgun e Peqinit u ekzekutua me armë i dënuari Arben Lleshi, nga një tjetër i burgosur përjetë për vrasje. Kjo shënon të vetmen ngjarje të këtyre përmasave në një institucion të sigurisë së lartë.
Inside Story solli një investigim të zgjeruar mbi ngjarjen, dinamikën, pistat e hetimit, mënyrën e futjes së armës në qeli dhe të dyshuarit. Nga cedimi i sigurisë, tek dyshimet që implikojnë zyrtarët e sistemit. Çfarë ndodhi atë ditë në burgun e Peqinit, dinamika e ngjarjes përmes materialeve ekskluzive. Nga shkuara e errët e viktimës, ngjarja makabër për të cilën u dënua dhe seriali i krimeve ndaj familjes Lleshi. Detaji i panjohur që ka ngritur dyshime te familja, pse nuk janë të bindur për identitetin duke refuzuar tërheqjen e trupit të Arbenit.
Çfarë u zbulua në regjistrin e policisë pas vrasjes së Arben Lleshit në burg ?
Një i dënuar, denoncoi në Top Channel përmes një telefonate me gazetaren Anila Hoxha, se Sokol Mjacaj kishte sulmuar me armë dy të burgosur. Një personazh mjaft i rrezikshëm që bën bujë sa here i përmendet emri, nisur nga krimet brutale që ka kryer. Ai kishte vrarë një fëmijë 13-vjeçar për një grabitje ordinere. Sapo ishte liruar, u mori jetën 2 turistëve çek në vitin 2015 sërish për ti grabitur.
Raportimet e para ishin të mjegullta dhe mjaft kontradiktore. Fillimisht mediat u informuan se nuk ka pasur viktima dhe situata ishte nën kontroll. Por, e vërteta ishte se Arben Lleshi u konfirmua i vdekur pak pas orës 14:00. Ajo që bën përshtypje është fakti se drejtuesit e burgut të Peqinit, u përpoqën të fitojnë kohë duke mos i dhënë informacion as policisë. Kjo rezulton në dosjen hetimore që ne kemi analizuar të plotë.
Nga përmbajtja e dokumentit ‘Regjistri i Marrjes dhe Dhënies së Informacionit’ të Sallës së Komandimit dhe Kontrollit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan rezulton se më datë 15.12.2023, në orën 14:30 është bërë shënimi ‘ kërkon informacion për ngjarjen në burgun e Peqinit. U lidhëm me sallën e burgut dhe nuk na japin asnjë informacion’”.
Ky informacion dhe detaje të tjera, ngritën mjaft dyshime për punonjësit e burgut që në momentet e para. Ishte realizuar një plan perfekt që konsiderohej i pamundur në një burg të sigurisë së lartë si ai i Peqinit.
‘Informacioent janë për bashkëpunim patjetër me punonjës të burgut të cilët kanë toleruar, bashkëpunuar apo neglizuar’ u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci
‘Hipoteza dhe dyshimi qëndorn, mungon prova. Në këtë ngjarje pranohet çdo hipotezë e dyshim, dhe është ngjarje me shumë të panjohura, ajo që dihet është vetëm ekzekutori’ u shpreh Kreshnik Myftari, pedagog
Dëshmia e plotë e Sokol Mjacajt, kush janë VIP-at e krimit me të cilët kishte krijuar afrimitet
Ngjarja, kishte kohë që planifikohej dhe dyshohet se ka të implikuar personazhe të fuqishëm të botës së krimit me lidhje të rëndësishme në nivele të larta.
Por, çfarë ndodhi atë ditë…?
“Kur kisha dalë për ajrosje më thërritën të burgosurit e tjerë të sektorit, shtetasit Kastriot Jaupi, Ilir Çekrezi, Arbër Çeka dhe të tjerë që nuk i mbaj mend të gjithë dhe më treguan që kishin parë në lajme që mua do më transferonin në regjimin e posaçëm 41 BIS. Sapo dëgjova këtë u acarova shumë që këtë të keqe e kisha nga Arben Lleshi”.
Me sa duket, Mjacaj kishte krijuar shoqëri të rëndësishme në burg. Personat që e kishin informuar, janë emra të konsideruar VIP në botën e krimit. Kastriot Jaupi përbën një prej emrave më të frikshëm të bandave të Beratit. Ai është dënuar për vrasjen e dëshmorit të atdheut Ilir Ngresi. Arbër Çeka, është dënuar për trafikimin e 612 kilogramëve kokainë nga Ekuadori në portin e Durrësit. Ndërsa Ilir Çekrezi, është dënuar për vrasjen e krushkut të familjes së bashku me babain e tij. Informimi i Mjacajt nga këta të burgosur, konfirmohet edhe në dëshminë e policit Ilir Balla, i cili bënte shoqërimin e të burgosurit nga sektori në zonën e ajrimit.
Pasi u informua për vendimin, Mjacaj kuptoi se nuk kishte kohë dhe do të duhej të vepronte për përmbushjen e planit të vrasjes.
“Dua të them këtë veprim e kam bërë në inat e sipër sepse isha i bindur që Arbeni ishte shkaku që mua do më transferonin në regjimin e posaçëm dhe kur mora vesh këtë lajm nuk e mendova gjatë, armën e kisha në brez dhe direkt shkova ta kërkoj për ta vrarë”.
‘Nuk besoj dhe nuk mendoj që është motiv i qenësishëm për rrezik, organizim aq të madh, për thyer cdo lloj sigurie në burg për realizimin e një vepre të tillë penale. Me pak fjalë, nuk besoj se është ky motivi, mund të dalë që është një nga mga motivet, por jo kryesori’ u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci
‘Llogjikisht, cdo vepër penale ka një motiv, në kuptimin e elementit të figurës veprës penale e shpesh motivi është ai që con në zbardhjen e ngjarjes, përherë motivi që qëllimi nga subjektet me eksperiencë manipulohet për mos treguar të vërtetën e veprës penale’ u shpreh Kreshnik Myftari, pedagog
Pamjet kur Mjacaj del nga qelia me armën e krimit, oficerët e shoqëronin
Inside Story, ka siguruar imazhet ekskluzive të fiksuara nga kamerat e sigurisë në burg, që tregojnë gjithë itinerarin autorit të krimit.
Saktësisht, në orën 13:47 e 7 sekonda, Mjacaj shfaqet në korridorin e godinës B, Sektorin numër 2, kati i dytë. Janë momentet ku ai sapo ka dalë nga qelia e tij me numër 9. Në sfond janë edhe 3 punonjës policie. Njëri prej tyre, është shoqëruesi që e përcjell nga qelia në zonën e ajrimit, siç parashikohet në rregullat e sigurisë.
Kamera e fikson për të paktën 16 sekonda në korridor para se të dalë jashtë kur ora shënon 13:47 e 23 sekonda. Siç konstatohet nga imazhet, ai dallohet teksa shkon drejt derës me duar në xhepa. Nga analizimi i pamjes, dallohet kontraktimi i tij sikur ruhet për të fshehur diçka në xhepa. Por, kjo me sa duket nuk u ka bërë përshtypje punonjësve të policisë që si rregull, do të duhej ta kontrollonin.
‘Skema sigurisë e ka qartë, cdo i burgosur që lëviz jashtë sektorit tij, janë të ndarë, kalon proces kontrolli të detyrueshëm ,qoftë ajrosje, takim me familjar apo aktivitete brenda regjimit, futboll apo aktivitete tjera, në hyrje apo dalje kontrolli i të burgosurve është i detyrueshëm’ u shpreh Faik Basha, ish-drejtor i burgut të Peqinit
‘Sigurisht dhe neve, çdo prokuror apo gjyqtar, avokat kontrollohet me mënyrë të imtësishme, fizkisht dhe pajisje elektronike për këtë arsye duket absurde dhe e çuditshme se si futet arma nëse funksionojnë kontrollet’ u shpreh ish-prokurori, Eugen Beçi
Policët që e shoqëronin autorin e krimit për të dalë në ajrim ishin Indrit Dubali dhe Ilir Balla. Hapja e zgarës së hekurit për të dalë është bërë nga polici në shërbim në atë vend Fatos Pire.
Ilir Balla dëshmia: “Të burgosurit para se të qëndrojnë në ajrim, dalin nga dhomat e tyre dhe nga kollona e sektorit der në ambientet e ajrimit shoqërohen nga punonjësit e ajrimit, të cilët cdo turn janë dy punonjës dhe sot në këtë turn isha unë së bashku me Indrit Dubalin”
Në orën 13:51 e 30 sekonda kur korridori është bosh dhe Mjacaj ka dalë në ambjentet e jashtme të ajrimit pranë godinës B.
Imazhet ekskluzive, të burgosurit vrapojnë drejt vendngjarjes, momentet kur Mjacaj ekzekutoi Arben Lleshin në qeli
Në këtë foto kur ora shënon 13:51, shfaqen imazhet e jashtme të godinës B të burgut. Kamera është e pozicionuar larg dhe pamja nuk është e qartë. Në fushat e ajrimit konstatohen disa të burgosur.
Në fashën kohore nga ora 13:51 e 39 sekonda deri në 13:52 e 13 sekonda në disa imazhe hap pas hapi të shkëputura nga kamera, konstatohet se të burgosurit që ishin në ajrim, hedhin vështrimin drejt godinës B, dhe afrohen për të parë çfarë po ndodhte. Këto, janë momentet kur kanë ndodhur të shtënat pranë dritares së qelisë numër 12, në sektorin 2, katin e parë, godina B.
Saktësisht në orën 13:52 e 15 sekonda, nga këqyrja e kësaj kamere grupi hetimor ka konstatuar se në largësi shfaqet përballë i dënuari Sokol Mjacaj. Ai sapo ka kryer krimin duke ekzekutuar Arben Lleshin dhe plagosur aksidentalisht Indrit Shaqjan. Pamja është e paqartë për shkak të rrjetës me tela dhe një tende metalike. Ai konstatohet sipër vend shërbimit dhe po drejtohet për nga sektori i takimeve.
Indrit Dubali: Në ato momente pashë që u kthye mbrapsh i burgosuri Sokol Mjacaj me një armë në dorë dhe ma drejtoi drejt meje për të më gjuajtur. Pasi më drejtoi armën më tha: “Hap derën kryesore të ajrimit, se përndryshe do të vras”. Nën kërcënimin e armës u detyrova hapa derën, pasi u tremba dhe u hutova. Në momentin që hapa derën ai vrapoi rreth vendit ku bëhen takimet dhe kuzhina. Vrapova mbas tij me 2 të burgosur të tjerë për ta ndaluar, konkretisht me shtetasit Indrit Shaqja i cili ishte i plagosur gjatë ndjekjes dhe Tomorr Caushi.
Caushi, një i dënuar përjetë për vrasje të dyfishtë gjatë një grabitjeje, ishte mik i viktimës Arben Lleshi. Ai u vu në ndjekje të Mjacajt për tu hakmarrë aty për aty. Qelia ku ndodhi vrasja ishte e Shaqjas dhe Ilir Xhakjas, i njohur si i forti i Shijakut. Ai, është i dënuar për vrasjen e krye komisarit Adem Tahiraj në krye të detyrës. Qelia e Arben Lleshit ishte në të njëjtin korridor, përballë asaj ku ndodhi vrasja ku vuanin dënimin Ilir Xhakja dhe Indrit Shaqja.
Shaqja: ‘O Indrit, më njofto pak Ben Lleshin të dalë në dritare te zkara se kam për ti thënë dicka, ku jam kthyer dhe kam parë në corridor të sektorit Arben Lleshin, e kam thirrur se të kërkon Sokol Mjacaj në dritare për të thënë dicka. Aty është futur Arben Lleshi te dritarja dhe kam dëgjuar krisma”
Mjacaj qëlloi të 5-të plumbat që kishte pistoleta. Plumbi që e preku në qafë rezultoi vdekjeprurës. Ndërkohë, plagosja e Indrit Shaqjas mendohet se ka qenë aksidentale. Ai është dëmtuar lehtë por nuk ka pasur plumb në trup. Shaqja, ka qenë shok me Sokol Mjacajn siç zbulohet edhe në dëshmi. Kjo, ka bërë që grupi hetimor të vlerësojë me kujdes dëshmitë e tij. Miqësia mes Mjacajt, Shaqajt dhe kapobandës së Shijakut Ilir Xhakja, konstatohet edhe në dëshminë e autorit të vrasjes. Madje, ai thekson se arsyeja pse këmbëngulte të afrohej në sektorin e Arben Lleshit, ishte shoqëria me Xhakjan dhe Shaqjan, në dhomën e të cilëve ndodhi vrasja. Ai thotë se viktima Lleshi, e pengonte për transferimin duke hapur fjalë se kërkonte ti bënte keq dikujt.
Mjacaj: “Arben Lleshi këto fjalë i hapi nga hiçi sepse unë nuk kisha asnjë plan për ti bërë keq dikujt. Nuk e di përse e bëri por arsyeja që unë doja të shkoja në një nga ato sektorë është pasi unë aty kisha disa të njohur si shtetasit Ilir Xhakja dhe Indrit Shaqja të cilët i kam njohur në IEVP FUSHË-KRUJË Me Indrit Shaqja kam qëndruar 8 muaj në një dhomë atje dhe kam pasur raporte të mira”.
‘Personazhe të cilët thuajse janë ambientuar me jetën në burg, e ëvshtirë që organi procedues të përdorë mekanizma si pendimi për më shumë të dhëna a shkohet te roganizatorët, e vështirë’ u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci.
‘Rregulli dhe ligji disiplinojnë raportin e dënuarve me botën e jashtme por jo marrëdhëniet mes tyre, këto rregullohen me rregullat e burgut që të dënuarit vendosin për të krijuar raporte mes tyre. Pa diskutim që këto vende të vuajtjes dënimit kanë dhe hierarki të komandimit ose organizimit’ u shpreh Kreshnik Hajdari, pedagog.
Lleshi ishte plagosur me thikë në qeli një vit para ekzekutimit, a kanë lidhje ngjarjet…?!
Dëshmitari i plagosur Indrit Shaqja ka pranuar se me viktimën Lleshi ka pasur qejf mbetje pasi ai e përbuzte për besimin fetar. Por, shton se në të shkuarën, i ka dhënë Arben Lleshit 2 letra ku Shaqjes i ofroheshin plot 200 mijë euro nëse pranonte ta helmonte. Ai thotë se jo vetëm që nuk ka pranuar, por letrat ia ka dhënë të ndjerit Lleshi në kohë.
‘Në këto konflikte ndërhynë dhe pjesë të të dënuarve për zgjidhjen dhe mirëkuptimin sepse janë ngjarje që nuk dëmtojnë vetëm subjektet por edhe të dënuarit që u prishen privilegjet ose komoditetet që zotërojnë në këto institucione të vuajtjes dënimit’ u shpreh pedagogu, Eugen Beci.
‘Madje, jo legjendë por është informacion i cili qarkullon në organet ligj zbatuese që brenda burgut ka më tepër informacion për ngjarjet kriminale se mund të ketë jashtë në terren’ u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci
Pas vrasjes, Mjacaj pranon se u ndje i kërcënuar nga të burgosurit e ndjerë. Ai kishte frikë për jetën dhe u izolua në zonën e takimeve me familjarët ku u mbyll brenda. I trembur për jetën e tij, nuk pranoi të dorëzohej deri në mbërritjen e prokurorit. Mjacaj ka qëndruar sipas dëshmive në dosjen hetimore rreth 1 orë e gjysmë i izoluar.
“Unë pasi hyra brenda i thashë që do dorëzohem dhe kërkova të vinte një prokuror. Më pas kam dhënë armën dhe jam dorëzuar”-tha Mjacaj.
Inside Story ka mësuar se grupi hetimor ka tërhequr për shqyrtim një tjetër dosje hetimore e cila në të shkuarën ka kaluar në heshtje. Arben Lleshi, ka qenë vazhdimisht objektiv për tu ekzekutuar nga kundërshtarët e tij. Veç tentativave për të cilat flitet në dëshminë e të burgosuri Indrit Shaqja, vetëm 1 vit para eliminimit Lleshi është plagosur brenda burgut me thikë.
Kjo ngjarje, ka kaluar në heshtje dhe u trajtua si një konflikt i zakonshëm mes të burgosurve. Ai mori një goditje thike në ijë por fatmirësisht aso kohe, pa probleme për jetën. Tashmë, po kryhen edhe njëherë verifikimet për ngjarjen e parë për të kuptuar nëse ka qenë pjesë e skenarit të mirë menduar deri në eliminimin e tij, apo ishte konflikt rastësor…
Vrasja mund të ketë kushtuar deri 1 milion euro, çfarë zbulon Mjacaj në dëshminë për futjen e armës në qeli
Mendohet se pjesëmarrësit në këtë skemë, kanë operuar të pavarur nga njëri-tjetri. Edhe nëse dikush prej tyre mund të zbulohet, është thuajse e pamundur të bashkohen të gjitha hallkat e zinxhirit për të shkuar deri të organizatori dhe porositësi. I gjithë operacioni kriminal, mendohet se mund të ketë kushtuar disa qindra- mijëra, deri në 1 milion euro.
‘I gjithë ky organizim shumë i mirë kërkon edhe kosto të mëdha financiare, këto kosto nënkuptojnë edhe faktin që nuk është i thjeshtë, por shumë i ndërlikuar që do çojë patjetër në rezultat kriminal’ u shpreh Eugen Beci, ish-prokuror
‘Një ndërmarrje e tillë është jashtëzakonisht e kushtueshme nga ana financiare, kërkon bashkëpunim të gjerë, investime brenda dhe jashtë që lë të kuptosh me atë gjendje që kishte ky i dënuar, e ka të pamundur të kryejë gjithë këtë organizim për një ekzekutim brenda burgut vetëm për një grindje momentale’ u shpreh ish-drejtori i burgut të Peqinit, Faik Basha.
Pyetja e parë që ngrihet është pikërisht mënyra se si u fut arma në qeli, duke i shpëtuar disa kontrolleve deri te qelia, pa harruar kontrollet periodike që do të duhej të bëheshin brenda qelisë.
Mjacaj: “Përpara 22-23 ditësh, ditën e saktë nuk e mbaj mend, unë kam futur në qeli një armë zjarri të cilën e kisha porositur nga jashtë burgut. Detajet se ku e porosita, tek cili person dhe mënyrën se si e kam futur në IEVP Peqin dua ti them në një moment të dytë. Arma e zjarrit ishte me mulli, e modelit Smith, dhe kishte gjithsej 5 fishekë. Për këtë armë pagova 500 euro dhe më ka ardhur 1 javë pasi e porosita”.
‘Për mendimin tim edhe vetë i dyshuari nuk e di si është futur arma, mendoj që i është dhënë nga një nga të dënuarit e tjerë që e ka kotnraktuar, nuk beosj u kontraktua nga jashtë por nga një i dënuar tjetër me prestigj, ai se ka idenë si u fut arma por thjesht i është vënë në dispozicion për kryerjen e vrasjes’ u shpreh pedagogu, Kreshnik Myftari
Arma është futur në periudhën mes datave 22-25 nëntor sipas dëshmisë së Mjacajt dhe dyshimeve të grupit hetimor që mbështeten me kryqëzimin e provave të tjera. Prokuroria arrestoi 12 punonjës të burgut nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Mes tyre, drejtues dhe ish drejtues të burgut apo Policisë së atij institucioni. Gjykata e Apelit, i liroi dhe askush prej tyre nuk ndodhet prapa hekurave.
‘Këta persona që ju thoni janë shtetesh shpërdorues detyre, apo bashkëpuntor në vepër penale që është futja e sendeve të jashtëligjshme, dhe unë avancoj më tej bashkëpunim në vrasje se futja e sendeve është, sigurim i sendeve dhe kushteve dhe përbën vepër më vete’ ish-prokurori, Eugen Beci
‘Skema e sigurisë e këtyre institucioneve dhe këtij institucioni e ka të qartë, në regjimin e brendshëm nuk futet asnjë person, qoftë pjesë e stafit apo drejtues, pa u kontrolluar’ u shpreh ish-drejtori i burgut të Peqinit, Faik Basha
Sokol Mjacaj kërkonte prej kohësh transferimin në sektorin ku vrau Lleshin, kush dha aprovimin?
Vetë titullari i institucionit Kamber Hoxha, ka marrë detyrën si i komanduar në 22 nëntor 2023. Lëvizja e Sokol Mjacajt në sektorin ku ndodhi krimi ishte kryer vetëm 3 ditë para krimit, saktësisht në 12 Dhjetor 2023. Ai, prej kohësh këmbëngulte të afrohej në sektorin 1 ose 2, pikërisht pranë Arben Lleshit. Kjo këmbëngulje e tij i kishte rënë në sy edhe viktimës Lleshi. Duhet theksuar se të dënuarit, nuk kanë aksese dhe kontakte mes sektorëve, që janë të ndarë. E vetmja mënyrë që ai ti afrohej Lleshit, ishte transferimi në sektorin 1 ose 2, që ishin ngjitur dhe i ndanin rrjetat e telit në ajrim.
“Kërkova të transferohesha tek sektori 1 ose 2 I godinës B, kur isha te sektori 4 godina A, por ata më cuan tek sektori 6, godina B. Pra, 3-4 ditë kisha që më çuan në sektorin 1 të godinës B.
Është propozuar lëvizja e të dënuarit Sokol Mjacaj nga dhoma 3, sektori 6, kati 2, Godina B për në dhomën 9, sektori 1 Kati 2, Gdina B për arsye sistemimi me përshtatje. Kjo lëvizje është miratuar nga drejtori Kamber Hoxha dhe shefi i Policisë Nikolin Gjonpalaj”.
Ky vendim transferimi brenda regjimit, është ndoshta i fundit i miratuar nga drejtori i Policisë Gjonpalaj. Rezulton se ai ka dorëzuar detyrën pikërisht në datën 12 Dhjetor, ditën e akomodimit të Mjacajt në dhomën që e afroi në sektorin pranë Arben Lleshit. Ai e kishte marrë detyrën vetëm në 21 Nëntor 2023, 1 ditë para se të komandohej edhe drejtori Kamber Hoxha.
‘Si drejtuesit e institucionit dhe drejtuesit e policisë së burgjeve, pavarësisht nga lëvizjet që kanë pasur para apo pas veprës penale, kam fjalën për transferimi e tyre, duhet mbajnë përgjegjësi, por duhet ndajë hetimit, neglizhencë apo bashkëpunim se janë dy gjëra të kundërta’ u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci
Në dëshmi, sqarohet se brenda pak ditëve, dy drejtuesit ishin marrë me sistemimin e disa të burgosurve, ku përfshihej edhe Mjacaj. Pra, ai më në fund ishte transferuar në sektor pranë Arben Lleshit.
Kamber Hoxha: “Në detyrën e shefit të policisë deri më datë 14.12.2023 ka qenë shtetasi Nikolin Gjonpali. Me marrjen e detyrës më datë 22.11.2023 është marrë me organizimin e punës dhe sistemin e disa të dënuarve që nuk ishin akomoduar për shkaqe të ndryshme në dhomat e akomodimit në sektor, situatë të cilën e ka mësuar nga struktura vartëse e policisë”.
Brenda kësaj periudhe ka ndodhur futja e armës në burg, teksa vrasja ndodhi 2 ditë pas largimit të shefit të policisë.
Kjo, përbën një prej cedimeve më të rënda. Duket e pamundur që autorët të kenë futur armën pa bashkëpunëtorë të brendshëm.
‘Në skemën e sigurisë përcaktohet qartë mënyra se si bëhen kontrollet, si futesh në regjime ku janë minimalisht 3 chekime që bëhen para se të kalosh dhe bëhet sterizlizim i plotë i efekivëtve, familjarëve apo avokatë, prokurorë që vijnë’ u shpreh Faik Basha, ish-drejtor i burgut të Peqinit
A u fut arma e krimit në burg nga një prej oficerëve? Pse zyrtari refuzoi detyrën e drejtorit të Policisë…?!
Në gjithë këtë histori, interesant është edhe qëndrimi i oficerit Qani Muça. Atij i kanë ngarkuar detyrën e Drejtorit të Policisë së Burgut, edhe pse nuk ka pranuar. Kjo vërtetohet me faktin se nuk ka firmosur pranimin e postit pasi ia komunikoi drejtori Hoxha.
Qani Muça: “Që në momentin e komunikimit, i kam deklaruar Drejtorit të Institucionit se nuk jam pyetur dhe as nuk më është marrë mendimi për t’u emëruar në këtë detyrë dhe se për arsye personale nuk mendoj se jam në gjendje ta kryej këtë detyrë dhe nuk do të pranoj marrjen e saj”.
‘Sigurisht ka qenë në dijeni të gjendjes sigurisë, por s’ka qenë në dijeni ca mund të ndodhë sigurisht por kur një punonjës ka përpara faktin që cedojnë element sigurie do merrte përsipër një detyrë të tillë’ u shpreh Faik Basha, ish-drejtor i burgut të Peqinit
Ekzistojnë dy pista për mënyrën e futjes së armës brenda burgut. Prokuroria dyshon se arma e krimit është futur në qelinë e Mjacajt përmes pajisjeve elektro shtëpiake. Por, nuk përjashtohet mundësia që pistoleta të jetë futur e fshehur në trupin e ndonjërit prej punonjësve të policisë. Për këtë ekzistojnë dy skenarë. Ose është lejuar punonjësi i policisë, ose duhet të jetë dikush që ka autoritetin mbi stafin e sigurisë të kalojë pa u kontrolluar. Kjo pistë, është marrë seriozisht në konsideratë duke analizuar të gjitha rrethanat dhe cedimet brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.
“Mendoj që përveç faktit që ka bashkëpunëtorë brenda të burgosurve, patjetër e pamundur mos ketë bashkëpunim me personelin e ruajtjes, personelin, policinë e gjithçka që ka të bëjë me sigurinë në burg. E pamundur një thyerje kaq e rëndë e sigurisë nëse nuk ka bashkëpuntor dhe organizim shumë të mirë’ u shpreh Eugen Beçi, ish-prokuror
‘Pistë e vetme mbetet ajo e futjes duke përdorur ndoshta disa hapësira të krijuara dhe vëzhguara por edhe përmes bashkëpunimit të 1,2 apo 3 punonjësve qoftë të sigurisë qoftë familjarë apo civilë që punojnë në institucion’ u shpreh Faik Basha, ish-drejtor i burgut të Peqinit
Siç u bë publike edhe përmes një raporti të drejtorit Kamber Hoxha, në burgun e Peqinit ka pasur probleme me skanerin që nuk ka funksionuar në periudha të gjata. Por, ky nuk është faktor determinant në futjen e armës pasi çdo hyrje-dalje në burg, i nënshtrohet edhe kontrolleve fizike.
Nuk duhet harruar se kontrollet në qeli që janë permanente dhe bëhen 2 herë në javë. Me sa duket, kjo gjë nuk ka ndodhur. Madje, konstatohet kontradiktë mes dëshmisë së drejtorit Kamber Hoxha dhe shefit të regjimit Vilson Shima. Ky i fundit, ka nxjerr zbuluar faktin se qelia e Mjacajt nuk ishte kontrolluar prej kohësh.
Kamber Hoxha: “Nuk mund ta sqaroj se si ka ndohur, pasi kontrolli është kryer, por mund të këtë patur neglizhencë në ndonjë moment të caktuar nga punonjëist e policisë të cilët kanë kryer kontrollin. Kontrolli kryhet kryesisht me dorë duke i kontrolluar një për një sendet dhe me dedektor dore”.
Vilson Shima: “Dua të them se kontrolli i dhomës dhe fizik i shtetasit Sokol Mjacaj është bërë rreth para 1 muaj e 15 ditësh, nga kontrolli nuk është konstatuar asnjë send i kundra ligjshëm.
Në dëshminë e Mjacajt, mes rreshtave kuptohet sikur ai mbron punonjësit e Policisë. Ai thotë se kontrollet janë realizuar por ka arritur ta fshehë armën. Një dëshmi që nëse e ballafaqon me deklaratën e oficerit Shima, ngre dyshimet se mund të synojë të mbulojë diçka.
Mjacaj: “Unë e fshihja në një kuti qumështi bosh, kuti të cilën pasi e hapja e mbyllja me atak. Kur kishte kontrolle unë hapja kutinë, armën e merrja e mbaja në brez dhe më pas e fusja prap në kuti, prap e mbyllja kutinë me atak.
Në të vërtetë, mendohet se arma është fshehur në WC e tualetit e cila nuk ishte funksionale. Kjo zbulohet edhe nga dëshmia e shtetasit Ëngjëll Uçaj, një i moshuar i dënuar përjetë i cili ndante qelinë me Mjacajn. Ai ka deklaruar se para vrasjes, dëgjoi zhurma të çuditshme që vinin nga tualeti.
Zbulohet dëshmia, debati i Sokol Mjacajt me Arben Lleshin pak kohë para ekzekutimit
“Para se të vija në këtë sektor, para dy muajve, unë e pashë Arbenin që po bënte ajrosje dhe unë isha në qelinë time e cila përkonte me vendin ku po bënte ajrosje Arbeni. E pyeta nga dritarja pse kishte hapur fjalë për mua dhe ai filloi të më provokonte duke më pyetur pse kërkoja të shkoja në sektorin e tyre dhe më tha disa fjalë që nuk më pëlqyen, sikur nënkuptonte diçka.”-shprehet Mjacaj.
Kjo alibi e Mjacajt, konsiderohet jo bindëse nga grupi hetimor. Thyerja e sigurisë për futjen e armës, kërkon lidhje të fuqishme jashtë të cilat nuk mund ti kishte një njeri si Mjacaj. Ai, ka kryer vrasje të tmerrshme, por, është larg të qenit i sofistikuar.
Ajo që bie në sy nëse i referohesh dosjes hetimore, janë verifikimet e hapura ndaj një emri të njohur të botës së krimit. Fjala është për shtetasin Fran Marashi, një prej të dënuarve për masakrën e Urës Vajgurore në 17 Qershor 1997.
Marashi, së bashku me disa miq të tjerë nga Shkodra, ishte bashkuar me familjen e të fortit të Urës Vajgurore, Musa Protoduari. Ata, u përfshinë në një përplasje brutale pas një mitingu të forcave të majta në Berat. Blindi i policisë u qëllua me antitank nga grupi i Protoduarve pranë vilës së tyre në qendër të Urës Vajgurore. 4 prej policëve u dogjën brenda blindit ndërsa 6 të tjerë u plagosën.
Për ngjarjen, u dënua në mungesë edhe Fran Marashi, ndaj të cilit, kishte disa dëshmi që konfirmonin pjesëmarrjen në atë masakër.
Marashi u arrestua në vitin 2007 dhe u ekstradua në Shqipëri. Në vitin 2009, tentoi të arratisej nga qelia. Pavarësisht viteve në burg, ai konsiderohet njeri me lidhje dhe ndikim të fuqishëm jashtë. Kontaktet e mundshme që ka pasur në burg me autorin e vrasjes së Arben Lleshit, Sokol Mjacajn, po verifikohen nga grupi hetimor.
Në listën e gjatë të dokumenteve të marra nga grupi hetimor, është edhe dosja hetimore e Marashit.
‘Organet ligjzbatuese përdorin informatorë, vendi me informatorët me të bollshëm, ndihmojnë organet, gardianët, policinë e burgjeve për rendin e sigurinë në burg. Kjo mund të jetë një ndër arsyet që merret një dosje tillë’ u shpreh Eugen Beci, ish-prokuror
Në këto momente, procesi ndaj Marashit është hapur për rigjykim në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar. Marashi arriti ta fitojë këtë të drejtë me pretendimin se nuk kishte dijeni për procesin e parë ndaj tij, duke iu shkelur të drejtat themelore.
Nuk dihet pse është kërkuar dosja penale e tij, pasi Marashi nuk ka pasur asnjë lidhje apo konflikt me të ndjerin Arben Lleshi. I vetmi dyshim që mund të lindë mund të jetë shkëmbimi i favoreve por edhe në këtë drejtim, nuk ka të dhëna.
Informacioni që alarmoi policinë pas vrasjes së Lleshit, aksioni me disa të shoqëruar në një lokal
Mbrëmjen e 15 Dhjetorit 2023, disa orë pas atentatit në burgun e Peqinit, Prokuroria e Elbasanit siguroi disa informacione që u konsideruan mjaft të dyshimta në momentet e para.
Në një lokal në zonën e “Myslym Shyrit” në Tiranë, po zhvillohej një festë. Biznesi në fjalë është në pronësi të fisit Hoxha, me të cilin viktima kishte hasmëri. Në momentet e para, pati dyshime se aty po festohej pas ngjarjes ku humbi jetën Arben Lleshi. Por, verifikimet e kryera nga Policia me urdhër të Prokurorisë, nuk konstatuan asgjë të dyshimtë. Tonet festive në lokal ishin diçka e zakonshme për biznesin.
‘Prokurorisë i intereson që kur ndodh ngjarja heton gjithë personazhet e përfshirë, subjektet, viktimën , autorët e dyshuar për periudha që lidhen par, gjatë dhe pas kryerjes ngjarjes se shumë vepra kriminale, shumë krime janë zbuluar vetëm e vetëm për shkak të reagimit emotive të autorëve që kanë pasur synim të realizojnë’ u shpreh Eugen Beci, ish-prokuror
Pas kontrollit, policia shoqëroi disa të rinj, që janë nipër të familjeve Hoxha dhe Kolaveri. Edhe kjo e fundit një familje e përzier në një histori të gjatë hasmërie.
“Shtetasit Marsel Ramaj, Arglen Gjyrici, Kristjan Ujkaj, Aldi Musta, Joan Mali. Nga deklarimet e të cilëve tregojnë se kanë qenë në lokal në rrugën Myslym Shyri dhe janë shoqëruar nga policia”.
Pas marrjes në pyetje të këtyre personave, nuk u zbulua asnjë informacion me interes për hetimin. Ajo që dihet është e shkuara problematike për disa prej tyre. Shtetasi Kristjan Ujkaj është arrestuar si pjesëtar i një grupi që trafikonte kokainë. Sipas informacioneve konfidenciale, Ujkaj konsiderohej i burgosur me autoritet gjatë kohës që kryente dënimin. Ai mbante lidhje të forta jashtë. Ka të dhëna se janë kryer verifikime për aktivitete të dyshimta edhe gjatë kohës së vuajtjes së dënimit për akuzën e trafikut të drogës. Këto informacione, mund të kenë shtyrë grupin hetimor për ta shoqëruar pas ngjarjes në burgun e Peqinit.
Mes personave që u shoqëruan nga Policia mbrëmjen e ngjarjes, ishte edhe shtetasi Marsel Ramaj i cili rezulton me precedentë penalë. Ai është arrestuar në të shkuarën për plagosje dhe armëmbajtje pa leje.
Verifikimet e grupit hetimor ndaj familjes Hoxha nuk prodhuan informacione apo prova të lidhura me ngjarjen në burgun e Peqinit. Pavarësisht kësaj, veprimet hetimore që zbulojnë personat e shoqëruar kanë prodhuar një pistë konkrete që lidhet me hasmërinë mes familjeve Hoxha dhe Lleshi.
“Mungon shenja identifikuese”, pse familja ka dyshime për trupin e Arben Lleshit, ja kush e kreu identifikimin…
Arben Lleshi, është viktima e fundit e familjes së tij në serinë që dyshohet se lidhet me hakmarrjen. 4 të vdekur dhe 1 i zhdukur është bilanci tragjik me eliminimin e Arbenit, atij që konsiderohej si shkaktari i nisjes së gjakderdhjes.
Sipas informacioneve, edhe dy muaj pas krimit të rëndë, familjarët e Lleshit nuk kanë pranuar të bëjnë tërheqjen e trupit të pajetë që gjendet në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Fillimisht, u raportua se ishte zgjedhje e tyre për ti dhënë fund hasmërisë. Por, e vërteta rezulton ndryshe. Ne kemi mësuar se familja ka ngritur dyshime se trupi i pajetë nuk i përket Arben Lleshit. Identifikimi I kufomës është bërë nga e motra e cila ka ngritur pretendime se nuk dallon në trup shenjat identifikuese. Fjala është për mos-dallimin e shenjës në ijë, që Lleshi e kishte marrë pas goditjes me thikë 1 vit më parë.
Në këtë pikë, Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e një ekspertize krahasuese ADN-je. Një provë shkencore që do të bindë familjen tej çdo dyshimi të arsyeshëm. Po ashtu, pritet që familjarët të bëjnë edhe njëherë identifikimin fizik.
Ajo që ngjarja tregoi, është alarmi se tashmë edhe nëpër burgjet e sigurisë së lartë askush nuk mund të jetë i sigurt. Mes rreshtave në dosjen hetimore, kuptohet se shpesh zyrtarët e burgjeve tregohen të pakujdesshëm duke lënë afër në sektorë apo qeli të dënuar që janë në hasmëri mes tyre. Në dhomën ku strehohej Mjacaj në Peqin, më herët kishte qenë edhe Aleksandër Llanaj, i dënuar si autor i asaj që njihet si masakra e Çoles në Vlorë ku u ekzekutuan 3 persona.
Vilson Shima: “Dua të them se në dhomën nr.9 në katin e sektori nr.1 më parë ka qenë shtetasi Aleksandër Llanaj, i cili ishte i dënuar për vrasjen me burgim të përjetshëm, më par ka qenë dhe në sistemi 41 biz. Ky shtetas ka pas hasmëri me dy vëllezër që ata ndodhen të dënuar në IEVP Peqin dhe konkretisht në godinën A, ata janë shtetasi Ardjan Hazizi dhe Fatmir Petraj”.
Përplasje të tilla të drejtëpërdrejta janë shmangur deri më sot, por izolimi i të dënuarve në sektorë pranë hasmit të tyre, duhet analizuar me kujdes për të shmangur ngjarje si ajo ndaj Lleshit. Vrasja e tij mund të kalojë për veprime të mëtejshme në Prokurorinë e Posaçme pasi të gjithë elementët të çojnë drejt dyshimeve për vrasje në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
‘Është një rast që do shërbejë në përvojën e isntituconeve vuajtjes dënimit për masat e sigurisë jo vetëm për ngjarjet kriminale, por edhe për të kuptuar lidhjet që kanë subjektet me botën jashtë’ u shpreh pedagogu, Kreshnik Myftari
Pavarësisht të gjithave, për autoritetet mbetet një mision mjaft i vështirë zbardhja e së vërtetës. Nëse autori i vrasjes Sokol Mjacaj vendosë të flasë, ndoshta zbardhet një seri që shkon përtej krimit brenda qelisë. Por, siç zbuluam më sipër, ka të ngjarë që porosia ka kaluar përmes ndërmjetësve të dytë dhe të tretë. Kjo, mund të bëjë të pamundur bashkimin e copëzave të historisë për krijimin e fabulës së plotë të porosisë dhe realizimit të krimit.