Me tronditje dhe shumë pikëpyetje për arsyen e vërtetë të vdekjes së Navalynit, me vlerësime për veprën e opozitarit më të madh rus dhe frikë nga më shumë represione në Rusi – reagime pas vdekjes së Aleksej Navalnyt.

Megjithëse në vitet e fundit nuk dëgjohej shumë për politikanin më të njohur opozitar rus. Lajmi për vdekjen e Aleksej Navalnyt në koloninë arktike të ndëshkimit nr 3 tronditi botën. Qindra ruse e rusë vendosën lule në monumentet e viktimave të përndjekjes politike duke treguar kështu solidaritet me Navalnyn, gjë që nuk është e parrezikshme në Rusinë e Putinit, ku Navalny konsiderohej armiku nr 1 i shtetit.

Aleksej Navalny – për kreun e Putinit vetëm një “bloger”

Kremlini reagoi menjëherë pas vdekjes së Navalnyt, edhe pse me pak fjalë; Dmitri Peskov, zëdhënësi i kreut të Kremlinit, iu referua mjekëve, që do duhej të përcaktojnë arsyen e vdekjes së Navalnyt dhe konfirmoi me këtë jodirekt vdekjen e tij. Nga kreu i Kremlinit, Vladimir Putin nuk u dëgjua asnjë fjalë. Dihet që Putin nuk e përmend asnjëherë emrin e Navalnyt. Për presidentin rus, politikani më i njohur opozitar rus është vetëm një “bloger”.

Asnjë politikan rus i sistemit nuk guxon të komentojë vdekjen e Navalnyt. Zëvendësdrejtuesi i Komitetit të Jashtëm të Dumës shtetërore, Vladimir Dzhabarov, hodhi poshtë vetëm spekulimet, se opozitari nuk ka pasur një vdekje të natyrshme. “Rusia nuk kishte asnjë arsye të dëmtonte shëndetin e Navalnyt, absolutisht aspak. Ky njeri po vuante dënimin, ai kishte edhe disa vite për të kryer dënimin. Mendoj, se ka qenë një aksident tragjik. Diçka e tillë ndodh.”

“Përfundime të nxituara të Perëndimit”

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme në Moskë, Maria Saharova e përdori këtë rast për të kritikuar perëndimin. “Ende nuk ka rezultate të hetimeve forensike, megjithatë perëndimi i ka nxjerrë përfundimet e veta.” Fjala është për reagimet e shumë politikanëve perëndimore, në të cilat dëgjohej qartë kritika ndaj politikës ruse dhe ndaj presidentit Putin.

Në Rusi u dëgjua një kritikë e rezervuar vetëm nga Eva Merkatshova, anëtare e Këshillit Rus për të Drejtat e Njeriut. Ajo shprehu dyshime, se kushtet e burgut e shkatërruan shëndetin e Navalnyt, mbi të gjitha ndëshkimet e shumta të politikanit me burg izolimi. “Këto janë kushte të rënda, madje brutale.”

“Djali ynë ishte me shëndet të mirë dhe me dëshirë për jetë”

Familja e Aleksej Navalnyt reagoi e tronditur. Në kohën që bashkëshortja e tij, Julia mori fjalën në Konferencën e Sigurisë në Mynih, nëna e Navalnyt, Ludmila postoi në Facebook. “Nuk dua të dëgjoj mesazhe ngushëllimi. Ne e pamë djalin tonë në burg, më 12 [shkurt] e vizituam. Ai jetonte, ishte i shëndetshëm dhe me dëshirë për jetën.”

Në lidhje me gjendjen shëndetësore të Navalnyt u shpreh në mediat ruse edhe mjeku, Aleksander Polupan. Ai e kishte vizituar politikanin pas helmimit në vitin 2020 dhe informonte përkrahësit e Navalnyt mbi gjendjen e tij shëndetësore. Arsyeja e vdekjes e supozuar nga televizioni rus, RT se ishte krijuar një tromb gjaku, është për Polupan e pabesueshme. “Natyrisht gjendja e tij e përgjithshme shëndetësore nuk ishte e mirë në përgjithësi, si tek çdo njeri, që jeton në kushte të tilla të tmerrshme. Por në një farë mënyre mendoj, se kjo arsye nuk është e besueshme.”

Politologja, Ekaterina Schulmann po ashtu dyshon, se Navalny pati një vdekje të natyrshme. Në bisedë me DW, ajo kujton një seancë gjyqësore vetëm para disa ditësh, ku Navalny mori pjesë. “Ai kishte zërin e një burri të shëndetshëm, energjik, jo të një njeriu pa fuqi. Nëse dikush ka një inflamacion në mushkëri, apo vuan nga probleme zemre apo uria, kjo dëgjohet. Para një jave ai ishte me shëndet të mirë dhe plot fuqi. Nuk ka për ne asnjë version tjetër që ka kuptim, veç vrasjes.”

Kritikët e Kremlinit me akuza kundër Putinit – besnikët e Kremlinit spekulojnë për Perëndimin

Edhe për politikanin opozitar rus që jeton në ekzil dhe ish-rivalin e Putinit, Mihail Khodorkovski është e qartë. “Pavarësisht arsyes formale të vdekjes, Vladimir Putin mban përgjegjësinë për vdekjen e hershme të Aleksejit, të cilin e helmoi njëherë dhe më pas e futi në burg.” Këtë mendim ndan edhe presidenti letonez, Edgars Rinkevic. “Pavarësisht, se çfarë mund të mendosh për Aleksej Navalnyn si politikan, ai u vra brutalisht nga Kremlini.”

Politologu, Vladimir Pastushov shkruan në Telegram, se autoritetet fillimisht pretenduan, se vdekja e Navalnyt është një aksident, më vonë ky version u shty nga një variant i ri se “ai u vra nga armiqtë e Rusisë”. “Vërtet që me seriozitet hetohet se Navalny u helmua në burg nga opozitarë të tjerë me mbështetjen e CIA, Mi6 dhe MOSAD-it.”

Kurse politologë të tjerë, besnikë të Kremlinit mbështetën versionin zyrtar, se tek vdekja e tij bëhet fjalë për një aksident. Disa të tjerë i referohen një “gjurme perëndimore”, dhe kujtojnë rrethanat e vdekjes së politikanit opozitar, Boris Nemcov, jo larg Kremlinit. “Sa herë që ka pak dritë në fund të luftës apo shenjohet një fitore, ndonjë shërbim sekret perëndimor organizon një akt terrorist apo ndonjë aksident të çuditshëm me vdekje”, shkruan politologu besnik ndaj Kremlinit, Marat Bashirov.

Disa analistë të afërt me qeverinë megjithatë pranojnë, se Navalny ishte një njeri me vullnet të fortë, që mund të bëhej “një Mandela rus”. Për ekspertin e pavarur të politikës, Aleksander Kynev, Navalny deri në fund mbeti një njeri i lirë për shkak të forcës së vullnetit të tij. Jeta e tij vetëm fizikisht mori fund, por ai është ndërkohë pjesë e historisë politike ruse, shkruan Kynev në Telegram. “Jeta është gjithmonë një zgjedhje. Navalny nuk vendosi për familjen apo karrierën e tij, por për një “qëllim përtej horizontit”.