Ish-Presidenti Donald Trump i ka kërkuar Gjykatës Supreme amerikane më 12 shkurt që të pezullojë një vendim gjyqësor që hodhi poshtë pretendimin e tij se ka imunitet nga ndjekja penale për rastin gjyqësor, ku ai po akuzohet se tentoi të përmbyste humbjen në zgjedhjet e vitit 2020.
Ai ka argumentuar se pa një mburojë të tillë, “presidenca, siç ne e njohim, nuk do të ekzistojë më”.
Trump, që po synon të fitojë zgjedhjet presidenciale amerikane të nëntorit, u ka kërkuar gjykatësve që të pauzojnë vendimin e 6 shkurtit, që u mor nga një panel gjyqtarësh të Gjykatës Supreme të Qarkut Kolombia. Paneli prej tre gjyqtarësh hodhi poshtë pretendimin e Trumpit se ai ka imunitet nga përndjekja ligjore.
Avokatët e Trumpit, në kërkesën dorëzuar në Gjykatën Supreme, thanë se “mbajtja e gjyqit penal për muaj të tërë ndaj presidentit Trump në mes të një sezone zgjedhore do të dëmtojë në mënyrë drastike aftësinë e Trumpit për të bërë fushatë” kundër presidentit Joe Biden për zgjedhjet e nëntorit.
Avokatët kërkuan që gjykatësit të pezullojnë procedurat gjyqësore, pasi po kërkojnë që kjo çështje të rishqyrtohet nga një gjykatë në qarkun e Uashingtonit dhe nëse është e nevojshme, më pas të apelohet në Gjykatën Supreme.
Në një gjykatë federale në Uashington ishte paraparë që të niste gjyqi ndaj Trumpit më 4 mars, nën akuzat për përmbysje të rezultatit. Data e nisjes së gjyqit është shtyrë dhe nuk është vendosur një datë e re.
Trump, që përballet me katër akuzat penale, është ish-presidenti i parë amerikan që ndiqet penalisht. Ai konsiderohet kandidati kryesor për të fituar nominimin e republikanëve për të sfiduar demokratin Biden, në zgjedhjet e nëntorit