Gjykata e Tiranës ka dënuar për shpifje Nënkryetarin e Rithemelimit, Luçiano Boçi. Pas gjyqeve të fituara me Albana Vokshin dhe Jorida Tabakun, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka fituar një tjetër gjyq për shpifje ndaj përfaqësuesve të Partisë Demokratike, kësaj here ndaj nënkryetarit të fraksionit të PD-së që drejtohet nga Sali Berisha.
Sipas vendimit të gjykatës, Luçiano Boçi dënohet me 1 milion lekë për akuzën e shpifjes ndaj kryebashkiakut të Tiranës. Gjithashtu, gjykata e detyron Boçin që të përgënjeshtrojë deklaratën e bërë prej tij në selinë e PD, të cilën e ka vlerësuar si shpifje. Vendimi u mor paraditen e sotme, pas deklartave të Boçit në lidhje me shkollat e reja të ndërtuara pas tërmetit.
Më herët, Veliaj ka deklaruar se me lekët e fituara nga gjyqet për shpifjet e hedhura nga opozita, ka krijuar një fond për blerjen e kompjuterëve për shkollat e Tiranës.