Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim nënkryetaren e Bashkisë së Parisit, Anouch Toranian, së cilës i dhuroi në mënyrë simbolike “Sahatin e Tiranës” dhe bisedoi për rritjen e bashkëpunimit mes dy qyteteve. Veliaj tha se Parisi dhe Tirana janë kthyer në laboratorë të ndryshimeve urbane.

“Jam shumë entuziast për Lojrat Olimpike në Paris. Ekipi ynë olimpik është një ekip modest, por qëllon që shumica e ekipit të Shqipërisë është në fakt edhe ekipi i Sport Klub Tiranës, ndaj mezi presim t’ju kthejmë vizitën në Paris. Jam shpresëplotë që disa nga sportistët tanë, ata të mundjes, të peshëngritjes, të atletikës, gjimnastikës, do të bëjnë një performancë dinjitoze. Shpresoj shumë që Lojrat Olimpike të jenë një sukses, në një botë të përçarë, në një botë që është në luftë, brenda Evropës të jetë edhe një mesazh për paqe dhe për të bashkuar njerëzit, siç sporti mund ta bëjë. Vend më ideal se Parisi, për këtë lloj dashurie të rigjetur të kombeve, nuk mund të kishte”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku vlerësoi punën e homologes së tij në Paris, Anne Hidalgo, dhe shtoi se dy qytetet kanë shumë për të mësuar nga njëri-tjetri.

“Anne Hidalgo ka bërë histori suksesi në Paris dhe për këdo që mendon se ndryshimet vijnë lehtë, duhet të kuptojë që edhe në Paris ka debat për pistat e biçikletave, për ndryshimet klimaterike, edhe në Paris ka debat për linjat e autobusëve. Është mëse normale që në një hapësirë ku jetojnë miliona njerëz, qindra mijëra njerëz, të ketë debate për këto çështje, por ajo që kemi parë është që natyra njerëzore është njësoj. Siç është njësoj për të refuzuar ndryshime apo për të bërë rezistencë, ashtu është njësoj për ta përqafuar ndryshimin. Pra, fillimisht ka dyshime për ndryshimin, por kur ndryshimi vjen, njerëzit e përqafojnë”, u shpreh Veliaj.

Nga ana e saj, nënkryetarja e Bashkisë së Parisit, Anouch Toranian tha se mezi pret që Shqipëria të jetë pjesë e Lojërave Olimpike në Paris. Toranian përfaqësoi qytetin e saj Parisin në punimet e Samitit të B40, ku Tirana mori Presidencën.