Dani Alves është në gjyq për abuzim seksual të dyshuar të një vajze të re në një klub nate, pasi kishte kaluar një vit në paraburgim. Gjatë procesit, avokati i brazilianit siguroi se gjendja financiare e lojtarit është delikate, por gazeta ‘Marca’ dhe portali ‘Celebrity Ney Worth’ bënë llogaritë dhe vlerësojnë se mbrojtësi i krahut ka një pasuri në rreth 55 milionë euro.

Lojtari fitoi miliona gjatë karrierës së tij futbollistike, gjatë së cilës ai luajti për klube të mëdha si Seville, Juventus, PSG dhe Barcelona. Në formacionin culé, sipas informacioneve të dhëna nga gazeta spanjole, braziliani fitonte rreth 10 milionë euro në vit. Te Pumas, klubi i fundit që përfaqësonte, merrte më shumë se 300 mijë euro në muaj.

Por pasuria e Dani Alves nuk vjen vetëm nga futbolli. Lojtari zgjodhi gjithashtu të bëjë investime në disa fusha. Mbrojtësi i krahut krijoi së bashku me ish-bashkëshorten e tij, Dinorah Santana, një agjenci përfaqësimi futbollistësh që aktualisht drejton 18 lojtarë. Për më tepër, ata janë edhe partnerë në kompaninë “Cedro Esports”, e cila këshillon sportistët në lidhje me të drejtat e tyre të imazhit.

Dani Alves u fut edhe në gastronomi, duke hapur një zinxhir restorantesh, të cilat përfunduan duke u mbyllur për shkak të pandemisë Covid-19. Megjithatë, biznesi nuk ndalet me kaq. Lojtari hapi një dyqan veshjesh në Barcelonë, “DM3 Fashion Moda”, lançoi markën e tij të syzeve, Bam Bam dhe krijoi një kompani të dedikuar për shitjen e produkteve të modës, “Treendbam Look Society”.