Ushtria e Rusisë ka kryer sulme të reja me dronë në Ukrainë gjatë natës, ndërkaq Forcat Ajrore ukrainase raportuan më 12 shkurt se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë shkatërruar 14 nga 17 dronët rusë si dhe një raketë lundruese të llojit Kh-59.
Forcat Ajrore po ashtu thanë se ushtria ruse ka lëshuar raketa tokë-ajër të llojit S-300, të cilat kanë rreze të gjatë veprimi, por nuk treguan se sa raketa të këtij lloji u lëshuan dhe nëse ndonjëra prej tyre ka goditur ndonjë cak.
Guvernatori i rajonin verilindor ukrainas të Harkivit, Oleh Synehubov, në orët e vona të 11 shkurtit deklaroi se Rusia ka sulmuar këtë rajon me raketa që janë lëshuar nga rajoni rus i Belgorodit, që gjendet në kufi me Ukrainën. Sipas raporteve preliminare, Synehubov tha se nuk ka viktima, por disa ndërtesa jorezidenciale kanë pësuar dëme. Ndërkaq, guvernatori i Dnipropetrovskit, Serhiy Lisak, deklaroi të dielën mbrëma se Rusia ka sulmuar qytetin rajonal, Pavlorad me dronë. Nuk raportohet për viktima, por sipas guvernatorit, një pjesë e qytetit të goditur ka mbetur pa energji elektrike.

Vala e fundit e sulmeve ruse me dronë po ndodh në kohën kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po vazhdon të bëjë ndryshime në kabinetin e tij të luftës përderisa pushtimi rus i Ukrainës po i afrohet përvjetorit të dytë.
Kievi njoftoi më 11 shkurt se Oleksandr Pavlyuk – që ditë më parë u lirua nga detyra e zëvendësministrit të Mbrojtjes – është emëruar në postin e komandantit të forcave tokësore të Ukrainës.