Qeveria ka parashikuar të shpenzojë 15 milionë Euro për të mbështetur sipërmarrjet inovative në 6 vitet e ardhshme.

E hedhur tashmë për konsultim publik, strategjia e zhvillimit të sipërmarrjes inovative, parashikon të zhvillojë produkte të reja përmes rritjes së aftësisë kompjuterike, me qëllim rritjen e konkurrencës dhe krijimin e një ekonomie të qëndrueshme.

Më konkretisht strategjia do të përfshijë ato sektorë në të cilët konkurrohet në nivel global dhe ka më tepër përfitime për ekonominë, duke gjeneruar vende të reja pune, si bujqësia energjia apo turizmi.

Strategjia thekson se sektorët nxitës përfaqësojnë gjithashtu një mundësi për bizneset shqiptare për të zhvilluar nën-sektorë të rinj të industrisë, duke shpërndarë burime dhe duke investuar në potencialin e rritjes nëpërmjet shpikjeve dhe teknologjive të reja të ardhshme.

Një grup specifik masash synon zhvillimin, tërheqjen dhe mbajtjen e talenteve, fonde nga diaspora, përfshirjen e grave dhe lehtësimin e masave për të rritur prezencën e nomadëve digjitalë që kontribuojnë në vendin tonë.

Nga ana tjetër plakja e popullsisë dhe rritja e jetëgjatësisë së 65-vjeçarëve me 15,7 % në 2022 do të mbajë të përfshirë në këto projekte edhe të moshuarit, veteran të sipërmarrjes.